“Hape derën, hape derën”, fjalët e fundit që Shkëlzen Velaj i tha të ëmës, flasin fqinjët

“Hape derën, hape derën”, fjalët e fundit…

Detaje të reja dalin në dritë nga ekzekutimi i Shkëlzen Velajt mbrëmjen e djeshme në lagjen Çole të Vlorës, ku 35-vjeçari u qëllua me breshëri kallashnikovi në derën e shtëpisë. Pasi kishte pikasur një makinë të dyshimtë që e ndiqte, Velaj ka nxituar që të shkonte në banesën e tij, ku në portën e shtëpisë u qëllua me breshëri plumbash.

Fqinjët rrëfejnë se nëna nuk ka mundur që të hapte derën pas thirrjes së djalit të saj, për shkak se ka qenë e tronditur nga të shtënat.

Fqinjët tregojnë se Shkëlzen Velaj nuk kishte sjellë asnjëherë probleme në pallatin ku jetonte, madje ai kujdesej dhe për mirëmbajtjen e tij si dhe për shtrimin e rrugës pranë banesës.

Gazetarja e Fax News Afrovita Hysaj raporton se pallati ku jetonte Velaj është i pajisur me kamera sigurie që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë.

“Ai nuk kishte fare probleme, edhe rrugën ai e ka shtruar, edhe ne kemi dhënë lekë, por nuk pranonte ai. Grua më të mirë se nëna e tij nuk gjen në botë”.

“Isha atje deri vonë, nëna e mori vesh, për vdekjen i thanë pas orës 2 e gjysmë. Djali i kishte thënë hape derën hape derën, dhe se kishte hapur dot nga zhurma, se ishte tramaksur”, shprehet një fqinje e familjes Velaj.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, që dyshohet se është në vazhdën e një hakmarrje me fisin Llanaj në Vlorë, policia ka shoqëruar 4 persona, në cilësinë e njerëzve që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Shkëlzen Velaj është goditur me breshëri kallashnikovi në hyrje të pallatit ndërda është gjetur në shkallët e pallatit nga familjarët e më pas është transportuar në spitalin Rajonal ku dhe ka humbur jetën.

Ai është vēllai i Ardi Velaj një prej viktimave të ngjarjës së ndodhur në 7 prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Policia arrestoi atëherë si autorë të masakrës Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.

Ashtu siç pritej, ato vrasje ndezën një seri atentatesh për hakmarrje. Policia dyshon se një nga fiset e përfshira në ngjarje ka marrë hak ndaj Erven Hysenit, ish-pronar i një televizioni lokal në Vlorë. Ai u qëllua për vdekje më 24 maj të vitit 2017.

Plumbat e atentatit kanë vrarë edhe Roland Saliun, drejtuesi lokal i OSHEE-së. Pas 5 muajsh, hakmarrja do të vijonte në rrugën “Transballkanike”.

Më 1 tetor të vitit 2017 janë plagosur Ferdinand Llanaj, së bashku me Dritan Begaj, ndërsa u plagos edhe një i mitur. Policia, në këtë rast gjeti vetëm automjetin e djegur të autorëve.

Më 14 janar të vitit 2019 ndodhi plagosja e Mikel Mehmetaj. Ai njihej për lidhje me fisin Llanaj. Sërish policia gjeti vetëm një automjet të djegur. Atentati i fundit në Vlorë, sërish sipas burimeve nga policia, dyshohet se ka lidhje me serinë e vrasjeve.

Arjan Hasani dhe Orest Rexho u vranë, ndërsa miku i tyre, Armando Sulejmani, i njiohur me emrin “Çipuri” u plagos rëndë.

Ky i fundit u ndalua ndërsa ishte në kërkim nga policia, pasi dyshohet si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur, dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.Por “Çipurin”, që s’e gjeti dot policia, e gjetën kundërshtarët e tij.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit