Në një moment të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, është hapur në Bruksel godina e Misionit të Shqipërisë pranë BE. Hapja e këtij objekti simbolizon një hap të rëndësishëm para përfundimit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, veçanërisht me afrinë e hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, i cili shpërndau pamje nga ceremonia festive e organizuar për këtë ngjarje.
“Mirëmëngjes dhe me mbrëmjen ceremoniale të çeljes së dyerve të godinës së Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, në vigjilje të hapjes së grupkapitullit të fundit të negociatave të anëtarësimit, sot në mëngjes, ju uroj të gjithëve një javë të mbarë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Në këtë ceremoni, e pranishme ishte edhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, e cila vlerësoi progresin dhe rezultatet konkrete të Shqipërisë gjatë procesit të integrimit. Ajo shprehu kënaqësinë që ndien për punën dhe angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë dhe shtoi se e ndien veten si ambasadore e katërt e Shqipërisë në Bruksel.
“E ndjej veten si ambasadore e katërt e Shqipërisë këtu në Bruksel. Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj”, tha Kos.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e udhëheqjes së Shqipërisë, duke e quajtur këtë një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Komisionerja e BE-së e përfundoi fjalimin e saj me një mesazh të fuqishëm për shqiptarët: “Kjo është shtëpia juaj e re. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë”.
Ambasadori i Shqipërisë pranë Bashkimit Europian, Ferit Hoxha, nga ana e tij, theksoi besimin e Shqipërisë tek Europa dhe konfirmoi angazhimin e qeverisë për të ecur përpara në procesin e integrimit.