Hapja e kufijve Kosovë-Shqipëri, ende nuk ka një datë

Hapja e kufijve Kosovë-Shqipëri, ende nuk ka…

Shqipëria nga 1 Qershori ka marrë vendim për hapjen e kufijve tokësorë, kurse Kosova ende s’ka ndonjë datë caktuar për hapjen e korridoreve me shtetet fqinje. Për këtë çështje sot ka folur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Kosova nga 1 qershori nis zbatimin e fazës së tretë të lehtësimit të lëvizjes.

Ministri në detyrë, Arben Vitia së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Sveçla, kanë mbajtur një konferencë për media në qendrën e administratës së QKUK-së.

Ministri Vitia është përgjigjur lidhur me hapjen e kufijve tokësorë përkatësisht, hapjes së kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke thënë se janë në bashkëpunim me IKSHPK-në dhe për këtë çështje do të njoftohen të gjithë pas datës 1 qershor kur edhe fillon faza e tretë e masave.

“Ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me IKSHPK-në, dhe të gjitha rekomandimet siç e keni parë i kemi marr masat, jemi në përgatitje të shumë vendimeve të tjera që do të merren nga data 1 qershor dhe në momentin që do të merret vendimi për hapjen e kufirit me Shqipërinë do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Vitia.

Në anën tjetër, gjatë ditës së djeshme disa kompani autobusësh në Kosovë, tashmë kanë nisur edhe organizimin dhe parapërgatitjet për linjat e tyre drejt Shqipërisë.

Madje, në faqe zyrtare të tyre, një nga to ka dhënë informacione për udhëtarët e saj, se nga e hëna nisin me orar të rregullt të udhëtimeve drejt shtetit amë.

Sipas së njëjtës kompani linja të rregullta do të ketë Prishtinë – Tiranë – Durrës dhe anasjellas, po ashtu edhe Tiranë – Prizren – Prishtinë.

Në anën tjetër, kompanitë turistike, përveç ofertave për pushime verore që kanë bërë për hotele në Shqipëri e Mal të Zi, ende nuk kanë dhënë detaje rreth të njëjtave se kur mund të nisin.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit