HEC-i në Zall-Gjoçaj/ Dikur banorët kapnin troftë aty, ndërsa sot nuk ka asnjë pikë uji në lum

HEC-i në Zall-Gjoçaj/ Dikur banorët kapnin troftë…

Zall-Gjoçaj është një ndër fshatrat më të izoluar të vendit tonë. Gjendet në veri-lindje të malit të Dejës (bashkia Mat) dhe afër liqeneve të Lurës. Fshati dhe pyjet e tij janë pjesë e Parkut Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Aktualisht zona e Zall-Gjoçaj është ndër më të bukurat, por edhe më me vlerë që kemi nga pikëpamja e burimeve natyrore (diversitet i lartë biologjik dhe peisazh).

Pas apokalipsit ekologjik që ka ndodhur kudo në Shqipëri me prerjen dhe djegien e pyjeve (ka ndodhur edhe këtu), fshati përballet me katër probleme kryesore;

Së pari, ndërtimi i një HEC-i (brenda parkut) ka bërë që uji i lumit të thahet krejtësisht pasi ai nuk rrjedh më nëpër shtratin e tijë, por nëpër tuba e tunele. Nuk ka asnjë pikë të vetme uji në lum. Dikur banorët kapnin troftë aty, ndërsa sot nuk ka asnjë pikë uji në lum, as për njerëzit, as për bagëtinë e madje as për faunën e florën.

Institucionet që kanë detyrë monitorimin e rrjedhjes ekologjike apo monitorimin mjedisor në lum nuk janë dukur gjëkundi dhe zor se do të shihen ndonjëherë këtu. Fshati Melth dhe fshatrat poshtë HEC-it tashmë duhet të shpërngulen nga mungesa e ujit.

Së dyti, bashkia Mat ka vendosur që burimin kryesor të ujit (livadhi i Gjonit), i cili ndodhet sërish brenda parkut Kombëtar, ta marrë për ujë të pijshëm. Marrja e ujit do kërkojë hapje rrugësh nëpër pyjet më të bukura që kemi dhe hapje tuneli në malin e Dejës.

Përveç tjerash marrja e ujit nga ujësjellësi dhe ai më poshtë nga HEC-i, do e shkatërrojnë përgjithmonë lumin e fshatit dhe gjithë ekosistemin natyror aty. Ky burim uji është pika më e largët me qytetin e Burrelit. Burreli ka patur dhe ka shumë burime ujore, mjaft të mira, por paaftësia për të menaxhuar si duhet ujësjellsin aktual ka gjetur zgjidhjen në burimin më të largët të mundshëm.

Ndoshta vlera e tenderit është ajo që nxit bashkinë të insistojë për këtë burim. Bashkia duhet të përmirësojë menaxhimin e ujit nga ujësjellsi aktual dhe jo të shkatërrojë Parkun Kombëtar, vetëm për shkak se duhet bërë një tender.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit