Banorët e Rrugës Panorama, pranë Kompleksit Prestige në Tiranë, i janë drejtuar redaksisë për të denoncuar një situatë që, sipas tyre, prej kohësh përbën rrezik për fëmijët e lagjes.
Sipas banorëve, hapësirat që dikur përdoreshin nga familjet dhe fëmijët janë zvogëluar ndjeshëm pas ndërtimit të një hoteli dhe restoranti në zonë, ndërsa hapësirat e mbetura janë të rrethuara me hekura që banorët i konsiderojnë të rrezikshëm.
Në mungesë të një këndi lojërash apo hapësirash të sigurta, fëmijët e lagjes luajnë pranë këtyre rrethimeve dhe, sipas denoncimit, disa prej tyre janë lënduar.
Një prej banoreve tregon se vetëm brenda pak muajsh, dy fëmijët e saj janë dëmtuar në të njëjtën zonë. Para rreth tre muajsh, djali i saj është prerë në këmbë nga hekurat dhe ka marrë 16 qepje. Së fundmi, edhe djali tjetër është dëmtuar në ballë në të njëjtin vend.
Banorja thotë se rasti nuk është i izoluar vetëm te familja e saj, pasi, sipas saj, edhe fëmijë të tjerë të lagjes janë lënduar në këto rrethime.
Ajo rrëfen gjithashtu se pas dëmtimit të parë, fëmija ka pasur humbje të konsiderueshme gjaku, marramendje dhe të vjella, ndërsa është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore dhe qepje. Sipas saj, pavarësisht situatës, nuk ka pasur një verifikim konkret në terren për të parë kushtet ku kishte ndodhur incidenti.
“Policët pyesin ku u vrave, por askush nuk vjen të shohë vendin ku ka ndodhur”, shprehet banorja, duke kërkuar që institucionet të shkojnë në zonë dhe të verifikojnë situatën.
Banorët thonë se kanë bërë ankesa të vazhdueshme, por deri më tani nuk kanë marrë një zgjidhje konkrete. Ata kërkojnë ndërhyrje për të shmangur raste të tjera dhe për të krijuar një hapësirë të sigurt ku fëmijët të mund të luajnë.
Ndër kërkesat e tyre janë: verifikimi urgjent i situatës në terren; heqja ose sigurimi i hekurave që, sipas banorëve, paraqesin rrezik për fëmijët; verifikimi i ligjshmërisë së zënies dhe rrethimit të hapësirës; mrijimi ose rikthimi i një hapësire të sigurt për fëmijët e lagjes dhe përgjigje zyrtare dhe konkrete nga institucionet përgjegjëse.
Banorët bëjnë thirrje që institucionet të mos presin një incident edhe më të rëndë për të ndërhyrë dhe kërkojnë që situata të verifikohet drejtpërdrejt në terren.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë sesa siguri për fëmijët tanë dhe një hapësirë ku ata të mund të luajnë pa rrezikuar të përfundojnë në spital”, shprehen banorët.