
Është hera e parë që një vrarës shfaqet fizikisht, një pamje reale të autorit pasi përgjithësisht jemi mësuar ti shohim që gjuajnë nga makina dhe largohen nga vendi I ngjarjes duke lënë vetëm gëzhojat.
Kështu është shprehur eksperti i kriminalistikës Fatjon Softa, teksa ka analizuar gabimet e mundshme që mund të çojnë në identifikimin e vrasësit të biznesmenit Ardian Nikulaj.
Softa theksoi se për herë të parë në një vrasje mafioze mund të shihen përmasat e tij trupore dhe mënyra si ecën.
Ai shtoi se nëse provat nga vendi i ngjarjes janë marrë siç duhet atëherë mund të bëhet dhe identifikimi i ekzekutorit.
“Është hera e parë që në shumë atentate apo vrasje të këtij niveli që një vrasës shfaqet fizikisht. Kjo është një shfaqje e parë, pasi në rastet e tjera ka qenë goditje nga makina, largim nga vendi ngjarjes duke lënë vetëm gëzhojat.
Ne këtu kemi një pamje, kemi dimensionet e trupit, mënyrën e ecjes, kemi mungesën e dorezës dhe prekjen e dorezës së portës. Nëse grupi hetimor ka marrë të gjitha provat në mënyrë profesionale, patjetër që autori mund të gjendet.
Po u gjet autori mund të shkojmë dhe më pas tek porositësit. Kjo ka qenë një vrasje e organizuar ku është përfshirë më shumë se një person”, tha Softa.
Në një moment gjatë largimit me skuter dhe më pas me mjetin “Defender”, kamerat e sigurisë kanë kapur gjithashtu dhe fytyrën e vrasësit.