Heroi shqiptar në Francë! 23-vjeçari nga Lushnja nderohet me medalje nga Asambleja Kombëtare

Heroi shqiptar në Francë! 23-vjeçari nga Lushnja…

Një i ri shqiptar me origjinë nga Lushnja, Marcelino Bici, 23 vjeç, është nderuar me medaljen e artë të Asamblesë Kombëtare të Francës, pas një akti të jashtëzakonshëm heroizmi. Ai jeton në qytetin Sens dhe shpëtoi dy persona që po sulmoheshin me thikë nga një agresor në mes të qytetit.

Ngjarja ndodhi të martën e kaluar, ku një individ sulmoi me thikë tre persona në qendër të Sens. Ndërsa shumë të tjerë qëndronin të stepur, ishte pikërisht Marcelino që ndërhyri me guxim dhe arriti të neutralizonte agresorin deri në mbërritjen e forcave të rendit, duke shmangur kështu një tragjedi edhe më të rëndë.

Deputeti i Asamblesë Kombëtare, Julien Odoul, e nderoi personalisht të riun shqiptar me medaljen zyrtare të këtij institucioni, duke theksuar:

“Marcelini është shqiptar. Ai ka ardhur në Francë në moshën 15-vjeçare, punon, paguan taksa dhe respekton ligjet dhe vlerat tona. Këtë javë, ai ndihmoi për të neutralizuar një person të rrezikshëm dhe për të shmangur një tragjedi. Ai është shembulli që presim nga të huajt që zgjedhin të jetojnë në Francë.”

Ndërkohë, vetë Marcellino ka dërguar një mesazh për redaksinë e JOQ Albania, ku shprehet:

“Përshëndetje JOQ. Jam një djalë nga Lushnja që jetoj në Francë. Kam shpëtuar dy persona nga një sulm me thikë dhe mora Médaille d’or nga një deputet francez, sepse isha ai personi që i dola përpara agresorit për të shpëtuar ata.”

Marcelino sqaroi rrethanat e ngjarjes tragjike: një çift, një vajzë dhe një djalë, ishin sulmuar në rrugë nga një person nën efektin e kokainës dhe alkoolit.

Vajza u godit me thikë në veshka dhe djali në shpinë. Marcellino, që po kalonte aty pranë me makinë, ndërhyri menjëherë kur dëgjoi thirrjet për ndihmë. Ai ndaloi makinën, u përball fizikisht me agresorin, arriti t’i rrëzonte thikën dhe e mbajti të neutralizuar deri në mbërritjen e policisë.

Pavarësisht plagëve, djali arriti të mbijetojë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Vajza, fatkeqësisht, ndërroi jetë katër ditë pas sulmit.

Veprimi i tij ka bërë krenarë jo vetëm shqiptarët në emigracion, por të gjithë ata që besojnë ende në guxim, humanizëm dhe vlera të vërteta njerëzore.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit