“Heronjtë” e shëndetësisë lihen në harresë nga shteti

“Heronjtë” e shëndetësisë lihen në harresë nga…

Mjekët dhe infermierët, vitet e fundit po largohen çdo ditë e më shumë drejt Europës, ku si porta më e madhe hyrës është bërë Gjermania. Ikja e tyre, duke sjellë mungesa të theksuara në sistemin shëndetësor, vjen si pasojë e pagave të ulta, të cilat i marrin edhe me vonesë.

Stafi mjekësor këtë të hënë doli në protestë dhe kërkonin pagesat e tyre, të cilat edhe pse po afron fundi i muajit ende nuk i kanë marrë. Çdo janar pagat shtyhen me disa ditë, por këtë herë vonesa ka kaluar çdo limit jo vetëm për punonjësit në Shkodër, por edhe për qytetet e tjera.

Por jo vetëm kaq. Infermierët që shërbejnë në zonat rurale, të cilët nuk paguhen më shumë se 500 euro, do të duhet të përballen me të tjera vështirësi, sidomos tani në stinën e dimrit, kur temperatura dhe klima nuk janë shumë të favorshme. Infermierët që janë caktuar nëpër fshatrat e Shqipërisë, nuk kanë asnjë pagesë për vështirësinë e punës, ndonëse dalin që në mëngjes herët, duke shërbyer derë më derë e nuk dihet kur kthehen në shtëpi. Ata nuk kanë as transport, por detyrohen të paguajnë vetë çdo detyrim, duke mos marrë asnjë kompensim. Këtë gjë e ka bërë të ditur Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Infermierë në disa zona duke u shërbyer pacientëve nëpër banesa dhe ta imagjinoni që nuk paguhen më shumë se 500€.
Asnjë pagesë vështirësie
Asnjë sigurim transporti
Asnjë kompensim për asgjë.
Por….thjesht janë heronjë
Faleminderit çdo Infermieri/e për punën dhe përkushtimin tuaj
”, shkruan Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë.

Edhe pse të lënë në mëshirë të fatit dhe me përbuzje nga shteti, këta infermierë, çajnë çdo ditë dëborën e akullin, ecin në diellin e verës, që askujt mos t’i mungojë shërbimi shëndetësor. Ata janë heronj, por të harruar nga shteti. Me këto kushte, vjen edhe dëshira për tu larguar nga vendi e për të mos u shërbyer më shqiptarëve, por të huajve. Sot shërbimi shëndetësor po has vështirësi për shkak të mungesës së personelit edhe në Tiranë, ndërsa në rrethe, ky fenomen është edhe më i dukshëm, ndërsa në fshatra “luftojnë” për të mbijetuar gjallë.

Propaganda e qeverisë, kryeministrit apo ministrave të Shëndetësisë është e përditshme. Me foto e video të edituara dhe kuruara deri në detaj, na tregojnë se sa cilësor është shërbimi shëndetësor, por realiteti është krejt ndryshe, jo me ngjyra siç na serviret, por bardh e zi në të gjitha dimensionet.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit