Hetimi ndaj Manastirliut/ Pajisjet mjekësore, SPAK kërkon informacione nga Doganat dhe Tatimet

Hetimi ndaj Manastirliut/ Pajisjet mjekësore, SPAK kërkon…

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) prej më shumë se tre javësh ka nisur hetimet lidhur me tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë për blerje të materialeve mjekësore gjatë periudhës së pandemisë.

Në kuadrin e hetimeve, mësohet se SPAK i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave me një shkresë ku kërkon informacione lidhur me materialet mjekësore që kanë hyrë në Shqipëri.

“Çfarë materialesh mjekësore janë zhdoganuar në periudhën e pandemisë? Nga kanë ardhur materialet, çfarë sasie dhe me çfarë çmimi janë zhdoganuar?”, janë pyetjet që SPAK i ka drejtuar Doganave.

Gjithashtu, SPAK kërkon që të marrë informacionet nga Doganat brenda javës.

SPAK bën të ditur se po verifikon gjithashtu deklarimet nga Tatimet të kompanive të shpallura fituese, por edhe kontrolleve të bëra nga KLSH.

Paralelisht me hetimet që po kryen nga SPAK, prokurorimet e Ministrisë së Shëndetësisë në kohën e pandemisë, mbi atë që quhen tendera sekretë, po kontrollohen edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Ky institucion prej javës së parë të muajit maj, po shqyrton procedurat e ndjekura nga Ministria e Shëndetësisë.

Me fillimin e hetimeve, në ditët e para të muajit maj, SPAK ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë, të gjithë dosjet e tenderave të zhvilluar në kohën e pandemisë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit