Hetimi për abuzimet me fondet bujqësore në Greqi, rrezik për dy ish-ministra

Hetimi për abuzimet me fondet bujqësore në…

Dy ish-ministra të Bujqësisë në Greqi përballen me hetime për abuzim me fondet e BE-së, ndërsa autoritetet nisin një kontroll ndërkufitar për pastrim parash dhe sekuestrim asetesh.

Autoritetet greke për Parandalimin e Pastrimit të Parave kanë nisur një hetim të gjerë për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian të ndara për bujqësinë. Fondet janë shpërndarë për vite me radhë përmes agjencisë shtetërore OPEKEPE, ndërkohë që skema e subvencioneve duket se është përdorur për përfitime të padrejta.

Sipas mediave greke, hetimi nuk kufizohet vetëm te fermerët që kanë përfituar, por përfshin edhe individë që kanë ndërmjetësuar në ndarjen e fondeve. Drejtuesi i Autoritetit të Pastrimit të Parave, Karallambos Vurliotis, paralajmëroi se nëse dalin prova për pastrim parash, do të ndërmerren masa për sekuestrimin e pasurive.

Hetimi është duke u koordinuar me Zyrën e Prokurorit Europian, pas një marrëveshjeje bashkëpunimi mes palëve. Në këtë kuadër, është paralajmëruar edhe një hetim ndërkufitar për të ndjekur rrjedhën e parave dhe për të identifikuar përfituesit realë të skemës së subvencioneve.

Skandali është thelluar më tej kur faqja zyrtare e Autoritetit për Pastrimin e Parave u godit nga një sulm kibernetik, vetëm pak ditë pas publikimit të hetimeve. Në qendër të akuzave janë vendosur ish-ministrat Makis Voridis dhe Lefteris Avgenakis, të cilët rrezikojnë të merren të pandehur nga drejtësia greke.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar publikisht përgjegjësinë institucionale dhe ka kërkuar një riorganizim të thellë të kulturës së administratës. Ai theksoi se është koha për të larguar klientelizmin dhe për të ndërtuar një kulturë të re përgjegjshmërie dhe ligjshmërie.

Gazeta “Kathimerini”, e afërt me qeverinë, ka vënë në dukje se klientelizmi është një strukturë e rrënjosur në shtetin grek. Ndërkohë, opinionistja Maria Katsounaki thekson se fenomeni është aq i zakonshëm dhe i dukshëm, saqë pasuria e papritur e fermerëve, sidomos në Kretë, është bërë objekt dyshimesh të hapura. Ajo përmend një shumë të raportuar prej 430 milionë eurosh që mund të jetë përfituar në mënyrë të padrejtë, ndërsa në Kretë ka nisur një klimë hakmarrjeje kundër atyre që bashkëpunojnë me drejtësinë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit