Hidrocentrali që rrezikon parkun kombëtar të Lurës

Hidrocentrali që rrezikon parkun kombëtar të Lurës

Pas dy hidrocentraleve në Zall-Gjoçaj një tjetër rrezikon Parkun kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”. Ai quhet HEC Borie-Lurë 1.

Ky hidrocentral pritet të ndërtohet në verilindje të parkut, në fshatin Borie dhe parashikon të fusë në tuba ujin e përrenjve të Kunorës së Lurës e livadheve të Bruçit.

Pellgu ujëmbledhës prej 3.64 kilometrash katrorë shtrihet në një pjesë të parkut dhe përfshin edhe 2 nga 12 liqenet e famshme – liqenet akullnajore në lindje të Liqenit të Madh.

HEC Borie-Lurë ka më shumë se 5 vite që planifikohet të ndërtohet, por së fundmi një nga kompanitë ndërtuese, Ageta dhe Bajrami N, ka nisur përpjekjet për të mbledhur firmat e banorëve të zonës në mënyrë që të vazhdojë më pas punimet.

Rezervuarët, digat dhe ndërtesa e HEC-it pritet të ndërtohen jashtë zonës së mbrojtur, por projekti parashikon mbledhjen duke u futur në tuba të përrenjve në zonën e mbrojtur.

Pjesa e parkut që përfshihet në pellgun ujëmbledhës të hidrocentralit është ajo më pak e prekura nga shpyllëzimi dhjetëravjeçar që i është bërë Lurës. Në raportin paraprak të vlerësimit të ndikimit në mjedis – përpiluar në vitin 2016 – çuditërisht flitet për lumin e Urakës (në jugperëndim), të cilin parashikohet ta shfrytëzojnë dy HEC-et e tjera, të kundërshtuara, në Zall-Gjoçaj dhe Zais.

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave, që i ka dhënë leje ndërtimit, flitet për “përrej të Kurorës së Lurës” të cilat përshkruhen si “degë të Lumit të Drinit të Zi”, ku në fakt i vetmi përro që i bashkohet Drinit të Zi është Malla e Lurës. Si për ironi, HEC Borie-Lurë mori lejen më 3 tetor 2018, rreth 30 ditë përpara se sipërfaqja e Parkut Kombëtar të Lurës të zgjerohej duke u bashkuar me parkun Zall-Gjoçaj, e cila tashmë njihet si Parku Lurë-Mali i Dejës.
Kryeministri Rama pranoi vitin e shkuar se hidrocentralet e vogla janë të padobishme pasi dëmtojnë natyrën më tepër se sa japin përfitime ekonomike.

Megjithatë ai duket se nuk po bën gjë për t’i ndaluar hidrocentralet në zonat e mbrojtura. Rasti më i fundit 2 hidrocentralet në Zall-Gjoçaj.

Ashtu si në të shkuarën, banorët janë të fundit që pyeten për këto investime, ndërkohë që prej vitesh u premtohen projekte zhvillimi për turizmin duke qenë se Lura konsiderohet një potencial i jashtëzakonshëm.

Janë të paktën 60 hidrocentrale të planifikuara apo duke u ndërtuar në 12 zona të mbrojtura në Shqipëri. Për këtë qasje qeveria është kritikuar nga Komisioni Evropian.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit