
Blerina Bala kryetarja e komanduar e Bashkisë Himarë ka dhënë dorëheqjen nga posti i të parës së qytetit, në të cilin kishte zëvendësuar Jorgo Goron që u arrestuar nga policia me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Bala mbajti për një kohë të shkurtër postin e kryebashkiakes prej 29 marsit 2024 deri në 5 qershor 2024, pasi mori votat e këshillit bashkiak. Më përpara ajo ka qenë nënkryetare e institucionit bashkiak. Në një reagim Bala thotë se dorëheqjen po e jep “për arsye personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë”.
Kështu bashkia Himarë është sot pa një kryetar, ndërkohe që të premten këshilli bashkiak pritet të mblidhet përsëri për të caktuar kryetarin e ri. Fredi Beleri është kandidati që doli fitues nga zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, por nuk e gëzoi postin e besuar nga qytetarët për asnjë ditë pasi u arrestua me akuzën e shit-blerjes së votës në zgjedhje.
Deklarata e dorëheqjes së Blerina Balës:
Të nderuar banorë të Himarës!
Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak Himarë!
Ndjehem e nderuar dhe e privilegjuar që mu dha mundësia të drejtoja Bashkinë Himarë për këtë periudhë aq sa të vështirë dhe të mrekullueshme për mua.
Gjatë kësaj kohe jam përpjekur të punoj me përkushtim dhe e palëkundur, për të ruajtur dhe zgjidhur çështjet që janë paraqitur para meje.
Sidoqoftë për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë.
Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë.
Dua të shpreh falenderimet dhe mirënjohjen më të thellë stafit të Bashkisë Himarë, Këshillit Bashkiak Himarë dhe çdo banori të Himarës për mbështetjen dhe për vlerat njerëzore që kemi ndarë gjatë kësaj periudhe.
Përulësisht kërkoj të pranoni mirënjohjen time të sinqertë, për bashkëpunimin dhe për çdo gjë që kemi arritur së bashku.