Finalizohet operacioni “Interesat”! Policia e Shtetit ka prangosur një 36-vjeçare e identifikuar si Valbona Golemi, nga Tirana, e cila në bashkëpunim me S.K. mashtronte qytetarë duke iu zhvatur para. Të dy prezantoheshin si administratorë të një banke dhe mashtruan një qytetar, duke i thënë se ishte zgjedhur “fitues”, dhe se do të përfitonte interesa më të larta bankare për depozitat si klient. Kështu 36-vjeçarja dhe i shpalluri në kërkim, i morën shumën e 1.600.000 lekëve të reja. Ndërkohë ende vijon puna nga Policia për kapjen e të shpallurit në kërkim, ndërsa po hetohet për evidentimin e personave të tjerë që mund të jenë mashtruar nga dyshja.
NJOFTIMI I PLOTË:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, operacioni i koduar “Interesat”. Prezantoheshin si administratorë të një banke dhe mashtruan një qytetar me faktin se ishte përzgjedhur si fitues i bankës dhe për rrjedhojë do të përfitonte interesa më të larta për depozitat si klient, vihet në pranga një shtetase, shpallet në kërkim një shtetas tjetër.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përvetësuar shumën 1.600.000 lekë të rinj, nga një qytetar që kishte depozita në një bankë të nivelit të dytë, duke e mashtruar atë me faktin se ishte përzgjedhur si fitues i bankës dhe për rrjedhojë do të përfitonte interesa më të larta për depozitat si klient. Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për evidentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që kanë kryer këta shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.