Historia e gruas që ribashkoi burrin me të ëmën, por tani ndihet e padëshiruar nga familja e tij: Si të veproj pa rrezikuar martesën?

Historia e gruas që ribashkoi burrin me…

Një grua i është drejtuar redaksisë sonë për të kërkuar këshillën e shqiptarëve lidhur me një situatë familjare që, siç tregon, po i shkakton vuajtje dhe debate me bashkëshortin. Prej rreth 10 vitesh e martuar dhe me një vajzë, ajo rrëfen se familja e të shoqit nuk e ka pranuar që në fillim të lidhjes së tyre.

Sipas saj, kundërshtimi i familjarëve ka nisur që përpara fejesës, pasi ata dëshironin që djali i tyre të lidhte jetën me një vajzë tjetër. Megjithatë, ai kishte këmbëngulur për zgjedhjen e tij. Kur ajo shkoi të jetonte në shtëpinë e familjes së tij, thotë se nuk u prit mirë. Ndër të tjera, vjehrra i thoshte të mos sillte rrobat, pasi nuk kishte vend për to.

Me kalimin e kohës, bashkëshorti u largua nga familja, pasi nuk pranonte mënyrën se si trajtohej partnerja e tij. Madje, për një periudhë, ata jetuan në banesa të ndryshme, por vazhduan lidhjen, pasi, siç shprehet gruaja, dashuroheshin.

Megjithatë, ajo nuk dëshironte që të bëhej shkak për ndarjen e një nëne nga djali i saj. Për këtë arsye, u përpoq vazhdimisht t’i afronte. Tregon se, pas lindjes së vajzës, ia kalonte bashkëshortit telefonin që të fliste me të ëmën, ndërsa sa herë shkonin për vizita, e bindte të shkonte ta takonte, edhe kur ai nuk kishte dëshirë.

Dalëngadalë, marrëdhëniet u përmirësuan dhe familja u ribashkua me të birin. Por tani gruaja thotë se, sapo nisën të komunikonin sërish me djalin, duket se e harruan nusen. Pa pasur asnjë debat apo konflikt të ri, ata nuk interesohen më për të dhe nuk e pyesin as si është sa herë telefonojnë bashkëshortin.

Kjo sjellje e ka lënduar dhe është kthyer në një nga shkaqet e debateve mes çiftit. Ajo pranon se ka frikë se një ditë mund të humbasë bashkëshortin dhe pyet shqiptarët: A duhet të vazhdojë të përpiqet për të ruajtur marrëdhëniet me familjen e tij, apo të tërhiqet dhe të mos ndërhyjë më?

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit