Historia trishtë e ushtarit të UÇK-së: Rri në barakë e jeton duke mbledhur kanoçe

Historia trishtë e ushtarit të UÇK-së: Rri…

Fotoja e tij bëri xhiron e botës, megjithatë 21 vite me pas, vetarani i UÇK-së shprehet i zhgënjyer me trajtimin dhe mbështetjen e marrë nga shteti teksa të ardhmen e fëmijëve e sheh larg vendit për të cilin luftoi.

Ka vite që kjo kioskë e improvizuar si dhomë shërben si strehë për Veli Morinën, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

52-vjeçari nga Gllareva e Klinës mban të varura në mur dy uniforma që i kishte veshur para dy dekadash: atë të UÇK-së dhe tjetrën të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ku shërbeu për një kohë më të shkurtër. Megjithatë, strehë për Veliun, gruan dhe tre fëmijët e tij shërben edhe kjo shtëpi e vogël, pronë e xhaxhait të tij.

“Unë jetoj në këtë barakën këtu, edhe në shtëpinë e axhës (xhaxhait) me familjen. Mirëpo shumicën e kohës rri këtu, sepse e di që është e imja, rri më lirë.”, tha Morina.

Vite më parë një mërgimtar bamirës nisi ndërtimin e një shtëpie të re për Veli Morinën, por punët mbetën në gjysmë në mungesë fondesh. Pos pagës së veteranit, prej 170 eurosh, ish-luftëtari mbijetesën e siguron edhe nga mbledhja dhe shitja e kanaçeve.

“Unë jetoj vetëm me kanaçe, dal i mbledh kanaçet nëpër rrugët e Klinës, në mbeturinat e Klinës, vetëm për të mbijetuar. Jo për të jetuar, por vetëm për të mbijetuar. Sepse mbi një euro e gjysmë ose dy nuk mund t’i fitoj në ditë, sepse 80 copë kanaçe duhet t’i grumbulloj për një kilogram. Tani është vera, del drita herët, në ora gjashtë dal nga shtëpia deri në tetë, tetë e gjysmë në mbrëmje nuk kthehem, deri të terrohet.”, tha ai.

Biçikleta i shërben si mjet pune teksa mbledh metale në skajet e rrugëve, ndërsa makinat përbëjnë rrezik për të.

“Vështirë është boll, rrezik është boll, tani janë shtuar makinat ka ngarkesa shumë të mëdha, mirëpo duhet me i bë ballë jetës. Kam patur njëherë një aksident, njëri më ka shkelur me veturë, mirëpo kam pasur fat, kam shpëtuar. Tani prapë duhet me dalë, sepse kur është çështja te fëmijët, me siguruar të paktën bukën e gojës duhet me dalë prapë.”, shtoi ai.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit