"Homazh për degët e vdekura”, studentët vendosin lule para ministrisë së Arsimit

“Homazh për degët e vdekura”, studentët vendosin…

Studentët kanë zhvilluar një protestë kreative sot para godinës së ministrisë së Arsimit. Me lule në duar ata i kanë bërë thirrje ministrisë që të reagojë sa më shpejt.

Sipas tyre shumë degë në fakultete të vendit janë mbyllur e të tjera rrezikojnë të njëjtën gjë. Në një deklaratë për mediat, një nga përfaqësuesit e studentëve tha se sot po realizohet në formë ironizuese ndaj qeverisë një “homazh” për “degët e vdekura”.

Ata shtojnë se me këto ritme brenda 20 vitesh, Shqipëria do të jetë i vetmi vend në botë pa ministri Arsimi.

“Universitetet tona po braktisen! 8 studentë largohen nga auditorët çdo ditë, ose rreth 8 mijë studentë në vit. Ministria e Arsimit ka përgjegjësinë kryesore për boshatisjen e auditorëve dhe braktisjen e arsimit, këto vendimarrje kanë penalizuar të rinjtë shqiptarë.

Rënia e cilësisë ka bërë të ulen me 11% regjistrimet në 3 vitet e fundit. Çdo rrugë tjetër është minimalisht e kushtueshme për studentët shqiptarë dhe maksimalisht i ndan nga familja, duke marrë rrugën e emigrimit. Shumë degë rrezikuan të mbyllen si pasojë e mungesës së strategjisë për arsimin e lartë dhe mungesës së lidhjes mes universiteteve dhe tregut të punës.

Këmbana e alarmit tonë u injorua, sot jemi futur në një rrugë pa kthim me vendimarrje të pa analizuara. 35 programe studimesh janë braktisur, pse nuk del askush nga këto autoritete të tregojë rezultatin e kësaj politike apo sondazhit kombëtar?! U-Albania ka të dhënat, 71.6% e programeve prioritare rrezikojnë të mbyllen pasi nuk plotësojnë numrin minimal prej 10 studentësh.

Gjuha shqipe e Normales në Elbasan ka vetëm dy regjistrime, Korça pa histori e gjeografi, fizika po mbyllet në Tiranë, hoteleri-turizmi në Durrës. Sot po marrim pjesë në funeralin e dhjetëra degëve të ‘vdekura’, pas 20 vitesh me këto ritme Shqipëria do të jetë i vetmi vend në botë ku s’do të ketë nevojë për ministri Arsimi”, thuhet në deklaratën e studentëve.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit