Homeland Justice hakon faqen e Bashkisë së Tiranës

Homeland Justice hakon faqen e Bashkisë së…

Faqja e Bashkisë së Tiranës rrëzohet nga hakerat, që pretendojnë fshirje të të dhënave dhe paralajmërojnë ndërhyrje të reja

Një sulm i organizuar kibernetik ka goditur faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, për të cilin përgjegjësinë e ka marrë grupi i njohur “Homeland Justice”. Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin Telegram, ata deklaruan se kishin ndërhyrë në sistem, kishin marrë të dhëna të ndjeshme dhe kishin fshirë plotësisht serverët.

Në postimin e shpërndarë, grupi akuzon Bashkinë për veprime të paidentifikuara, ndërsa e justifikon sulmin si një formë ndëshkimi për këto “aktivitetet e tyre”. Mesazhi përmbyllet me një frazë provokuese: “Kemi rrëzuar faqen, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”

Për të vërtetuar pretendimet e tyre, Homeland Justice publikoi pamje të faqes përpara dhe pas sulmit. Në versionin e dytë, faqja zyrtare e bashkisë shfaqet e boshatisur, me një sfond të zi dhe efekte grafike që nënkuptojnë shkatërrim dixhital.

Përveç kësaj, grupi publikoi edhe një model 3D të ndërtesës së Bashkisë së Tiranës, me mbishkrimin “yes, you were right”, një mesazh që lë të kuptohet se sulmi ishte paralajmëruar më herët nga vetë ata.

Homeland Justice është një entitet i lidhur me aktivitetin e hakerëve të huaj, i cili për herë të parë u shfaq në korrik të vitit 2022, gjatë sulmit masiv ndaj portalit shtetëror e-Albania. Analizat e kryera nga Microsoft sugjerojnë se pas këtij grupi qëndron një strukturë e mbështetur nga autoritetet iraniane.

Sulmet kibernetike të kësaj natyre ngritin shqetësime serioze për sigurinë dixhitale të institucioneve publike në vend. Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Bashkia e Tiranës apo nga strukturat përkatëse të sigurisë për incidentin e fundit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit