Human Rights Watch: Mbi 8.000 të vrarë gjatë rrethimit të Mariupolit më 2022

Human Rights Watch: Mbi 8.000 të vrarë…

Të paktën 8.000 persona janë vrarë gjatë luftimeve apo nga çështjet e lidhura me luftën gjatë rrethimit rus të Mariupolit. Beteja disamujore në këtë qytet ishte ndër betejat më të mëdha në luftën pothuajse dyvjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës, sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW).
Mariupoli u bë sinonim i tmerrit gjatë rrethimit pothuajse tremujor rus për kontrollin e këtij qyteti-port strategjik. Rrethimi zgjati mes marsit dhe majit të vitit 2022, përderisa civilët e bllokuar u detyruan të varrosnin viktimat përgjatë rrugëve, shkruan REL.

Vlerësimi i HRW, bazuar në imazhet satelitore dhe të tjera imazheve të vendeve ku janë hapur varre, është një prej vlerësimeve të vetme të pavarura deri më tani lidhur me numrin e viktimave në këtë qytet.


Ukraina ka thënë se dhjetëra mijëra persona janë vrarë, por nuk ka mundur të ofrojë një numër të saktë të viktimave, pasi nuk ka qasje në këtë qytet, i cili është nën kontrollin e Rusisë. Kombet e Bashkuara, që kanë të drejtë të monitorojnë në terren në Ukrainë, deri më tani ka dokumentuar mbi 10.000 vdekje të civilëve në Ukrainë, që kur Rusia ka nisur pushtimin e këtij shteti. Por, OKB-ja ka thënë se deri më tani nuk ka mundur të verifikojë raportimet për numër të lartë të vdekjeve të civilëve në Mariupol, për shkak të kufizimeve në qasje. Rusia ka hedhur poshtë akuzat se kryen mizori apo se shënjestron civilët në Ukrainë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit