
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në takimin që mbajti kryeministri Edi Rama me qytetarët e Korçës dy ditë më parë, ku një person ka humbur jetën gjatë fjalimit të përfaqësuesve të PS-së.
Viktimë ka mbetur Selim Lifo, me origjinë nga Kolonja por që prej disa kohësh banonte në Korçë. Selimi ishte babai i një punonjësi të policisë në Korçë, dhe me profesion ishte elektriçist.
Në momentin tragjik ai nuk ishte në punë, por sipas burimeve të besueshme për redaksinë tonë, ishte marrë me urdhër në mitingun e kryeministrit, për të qenë pjesëmarrës si spektator dhe për të mbushur sheshin, pavarësisht se nga puna e tij kishte marrë një raport për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.
Një burim i tha JOQ Albania: “Vdiq elektricisti në takimin që bëri Rama në Korçë. E kanë mbajtur të fshehur, nuk e kanë hapur si lajm. Ky ishte i sëmurë, kishte marrë dhe leje te puna. Ata e detyruan të vinte në takim. Ky po jepte shpirt i ziu. Ra pa ndjenja, atje ambulanca nuk hyri dot se kishte shumë njerëz. Nuk kishte shkuar si elektriçist për të montuar, po për të mbushur vendin”.
Në një komunikim me policinë e Korçës, lajmi konfirmohet: “Po ka ndërruar jetë. Është babai i një punonjësi tonë të Policisë. Zotëria vuante nga probleme kardiake, është lëshuar skeda e vdekjes nga mjeku i familjes për vdekje natyrale. Nga ana e policisë nuk janë kryer veprime ndaj nuk ka pasur një njoftim”, thuhet në përgjigjen e Policisë për JOQ Albania.
Pavarësisht se vdekja konsiderohet natyrale, kjo ngjarje ngre disa pikëpyetje për arsyet që sollën këtë tragjedi. Në një kohë kur i ndjeri Selim Lifo kishte marrë leje nga puna e tij për shkak se nuk ndihej mirë, kush ishte drejtori i OShEE-së që dha urdhërin që punonjësi të ishte pjesë e takimit të PS-së. A do të dalë ndonjëherë ai para përgjegjësisë, apo ngjarja do kalohet në qetësi? Gjithëçka mbetet për t’u parë.
Kjo ngjarje tronditi mbarë të pranishmit në takim, por ata që po e vuajnë më shumë janë familjarët e të ndjerit.