Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë tonë nga Vilson Laçi, djali i Mustafa Laçit nga Kavaja, një prej familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit në vitin 2008.
Vilsoni tregon se nëna e tij, Nafije Laçi, humbi jetën në shpërthimin tragjik, ndërsa familja vijon të endet prej vitesh në dyert e institucioneve. Sipas tij, edhe pse Gjykata e Strasburgut e ka shpallur fituese çështjen kundër shtetit shqiptar prej katër vitesh, vendimi ende nuk është zbatuar.
Babai i tij, Mustafa Laçi, ish-punëtor në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, fitoi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut pasi u vlerësua se shteti i kishte shkelur të drejtën për akses në drejtësi për shkak të zvarritjeve dhe procedurave burokratike. Gjykata urdhëroi që ai të dëmshpërblehej me 7,500 euro dhe t’i paguheshin edhe 3,000 euro për shpenzimet gjyqësore.
“Na zvarrisin çdo vit kot. E kemi fituar çështjen në Strasburg me të gjitha dokumentet, por ende nuk po marrim të drejtën që na takon. Kam humbur nënën dhe vëllain e kam të sëmurë. Kërkoj vetëm që vendimi të zbatohet“, shprehet Vilson Laçi.
Pas 18 vitesh nga tragjedia e Gërdecit dhe katër vitesh nga vendimi i Strasburgut, familja Laçi ende pret drejtësi ndërkohë që përballen me vështirësi të tjera ekonomike e familjare.
