I akuzuan vëllain për plagosjen në Lushnje, flet Laert Hasalla: Ngjarje e sajuar

I akuzuan vëllain për plagosjen në Lushnje,…

Një konflikt mes dy familjeve në Garunjas të Lushnjes dyshohet se është arsyeja pas plagosjes së 60-vjeçares Bajame Senej pasditen e kësaj të enjteje. Për këtë arsye, policia ka shpallur në kërkim Armando Hasallën si autor të dyshuar.

Por vëllai i tij, Laerti, mohon që familja e tij të jetë përfshirë në këtë ngjarje. Në një deklaratë ai është shprehur se vëllai, Armando, i cili më parë ka pasur emrin Emiljan, ndodhet në Greqi dhe ka shkuar atje para 19 ditësh.

Sipas tij familja tjetër Hasalla e ka sajuar ngjarjen. Bajame Senej është motra e Kastriot Hasallës. Ky i fundit u dënua me 35 vite burg ditën e sotme për vrasjen e vëllait të Laertit dhe Armandos, Romeo Hasallës. Vendimi për ngjarjen që ka ndodhur në vitin 2021 u dha sot nga Gjykata e Lushnjes.

Laerti shprehet se në seancën e sotme gjyqësore ka qenë vetëm babai i tij, Shaipi. Laerti tha më tej se nuk ka pasur konflikte të tjera me familjen tjetër Hasalla. Sa i përket vrasjes së vëllait, ai është shprehur se “ia la shtetit në dorë këtë punë”.

Kujtojmë që më herët, Afrim Hasalla, vëllai i Kastriotit pretendoi se të shtënat me armë që u qëlluan ndaj motrës së tij erdhën nga familjarët e Shaip Hasallës. Afrimi tha se Kastrioti mbrojti në konfliktin që ndodhi në vitin 2021 vëllain dhe djalin e tij.

Shkak i konfliktit mes dy familjeve është bërë një sipërfaqe toke prej 2 hektarësh e mbjellë me ullinj.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit