“I akuzuari për vrasje çau murin e qelisë në Burgun e Fierit dhe doli në tarracë, ngjarja po mbahet e fshehtë”

“I akuzuari për vrasje çau murin e…

Burime ekskluzive për JOQ Albania bëjnë me dije se në orët e para të mëngjesit të sotëm është regjistruar një tentativë arratisjeje në burgun e Fierit nga një i akuzuar për vrasje ndaj të cilit prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm.

Sipas informacioneve, bëhet fjalë për 43-vjeçarin Bledar Selmanaj, i cili ka tentuar të arratiset duke çarë murin e qelisë ku ndodhej dhe duke dalë deri në tarracën e burgut. Tentativa e tij është konstatuar në momentin e ndërrimit të shërbimit dhe forcat e sigurisë arritën ta neutralizojnë, duke e kapur në tarracë.

Ngjarja është mbajtur e fshehtë nga stafi dhe drejtuesit e institucionit, ndërkohë që ende nuk dihet me çfarë mjeti Selmani ka arritur të dëmtojë murin e qelisë. Ai prej një jave ndodhej në godinën e veçimit dhe dyshohet se ka vepruar i vetëm, pa bashkëpunëtorë.

Ky nuk është rasti i parë që Bledar Selmanaj përpiqet të arratiset. Më 21 dhjetor 2021, u raportua për një tjetër tentativë të tij, kur ai u përpoq të dëmtonte hekurat e qelisë në spitalin e burgut, por u pikas dhe u ndalua në kohë nga gardianët.

Ndaj Bledar Selmanajt prokuroria ka kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm, ndërsa ai ndodhet aktualisht në qeli në pritje të vendimit përfundimtar. Ai akuzohet për vrasjen e 25-vjeçarit Xhuljano Bullari në Vlorë, ngjarje e ndodhur më 21 gusht 2021. Ai nuk e ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa dyshohet se motivet lidhen me pazare të prishura në aktivitete të paligjshme.

Denoncimi i plotë i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:

“Përshëndetje JOQ! Në mëngjesin e sotëm në burgun e Fierit ka tentuar arratisjen shtetasi Bledar Selmanaj, i dënuar me burgim të përjetshëm. Selmanaj kishte çarë murin dhe kishte dalë, por është kapur në tarracën e burgut nga forcat e sigurisë në momentin që u ndërruan shërbimet. Kjo ngjarje është mbajtur e fshehtë nga stafi dhe drejtuesit e këtij burgu. Nuk dihet me çfarë e ka çarë murin. Sot edhe drejtori i përgjithshëm ishte në IEVP Fier, por asnjë lajm nuk u raportua. Ai është kapur në tarracën e burgut. Pasi janë ndërruar shërbimet në mëngjes, është vënë re. Nuk dimë të ketë pasur bashkëpunëtor, pasi ishte vetëm në dhomë. Ai ndodhej në godinën e veçimit prej një jave.”

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit