Një i burgosur shqiptar 32-vjeçar në Francë ka shkaktuar një incident të rëndë në burgun e Gradignan, ku po vuante dënimin e tij.
Sipas raportimeve, ai ka sulmuar fizikisht tre oficerë burgu, duke plagosur rëndë njërin prej tyre me një copë xhami në fytyrë, duke i shkaktuar një plagë që kërkoi 17 qepje.
Incidenti, i cili u shënua më 1 shtator, u përshkallëzua më tej kur 32-vjeçari kërcënoi për vdekje shefin e sektorit dhe oficerët e tjerë të burgut. Për shkak të këtij akti të paprecedentë, seanca gjyqësore e parashikuar për datën 3 shtator në Gjykatën e Bordosë dështoi dhe i dyshuari mbeti në qelitë e burgut.
Sindikata e Burgjeve kërkoi menjëherë një vlerësim psikiatrik për të burgosurin, duke ngritur shqetësime mbi gjendjen e tij mendore. Sipas mediave franceze, kërkesa për vlerësim psikiatrik erdhi pas shfaqjes së shenjave të çrregullimit të fortë psikik nga i burgosuri, i cili tani pritet të trajtohet në një njësi psikiatrike ose të vendoset në një njësi të dedikuar për të burgosurit e dhunshëm (UDV).
Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë publike identitetin e 32-vjeçarit dhe detajet e krimit për të cilin po vuante dënimin.