Një 35-vjeçar shqiptar, i dënuar me 8 vite burg për përdhunimin dhe sulmin seksual ndaj një 18-vjeçareje, është dënuar sërish në Britani, pasi u zbulua se ishte kthyer ilegalisht në vend, pavarësisht dëbimit të tij në vitin 2019.
Bëhet fjalë për Blerim Hajdarmatajn, i cili u gjet në korrik të këtij viti duke jetuar në Rayleigh, Essex. Ai u arrestua dhe u përball me drejtësinë pasi kishte shkelur urdhrin e dëbimit dhe detyrimet që kishte si person i regjistruar për një vepër seksuale.
Hajdarmataj u paraqit në Gjykatën e Kurorës në Basildon më 20 gusht dhe pranoi fajësinë për kthimin në Mbretërinë e Bashkuar në kundërshtim me urdhrin e dëbimit, si dhe për shkeljen e detyrimeve të njoftimit ndaj autoriteteve.
Për këto shkelje, ai u dënua me 16 muaj burg. Sipas rregullave britanike, një dënim prej të paktën 12 muajsh mund të pasohet nga procedurat e dëbimit.
Historia e tij me drejtësinë britanike nis në shtator të vitit 2014. Në atë kohë, Hajdarmataj punonte si pastrues dhe ishte takuar me 18-vjeçaren në një lokal në Chelmsford. Ai e kishte ftuar në banesën e tij, por ajo kishte refuzuar.
Të nesërmen, e reja u zgjua në shtratin e tij pa rroba dhe me dëmtime në trup. Ajo u largua nga banesa, ndërsa Hajdarmataj e ndoqi, por e reja arriti të kërkonte ndihmë nga një automjet që po kalonte.
Hajdarmataj u largua nga Britania gjatë procesit gjyqësor në vitin 2016 dhe u dënua në mungesë me 8 vite burg për përdhunim dhe sulm seksual.
Më vonë ai u gjet në Kosovë dhe u rikthye në Britani me urdhër arresti, përpara se të dëbohej në vitin 2019.
Por, pavarësisht urdhrit të dëbimit, ai arriti të kthehej sërish në Britani dhe të vendosej në Essex, derisa u zbulua nga autoritetet këtë vit.