Fëmijët e Nikoll Radaçit kanë reaguar pas arrestimit të tij për aksidentin tragjik në Durrës, duke u distancuar nga veprimet e të atit dhe duke kërkuar që përgjegjësia të mbetet individuale. Ata shprehen se nuk kanë pasur asnjë komunikim me të që prej ngjarjes dhe se lajmin e kanë mësuar përmes mediave, njësoj si gjithë opinioni publik.
Sipas reagimit të tyre, ata janë thellësisht të tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe theksojnë se nuk po përpiqen në asnjë moment të justifikojnë veprimin. Ata shtojnë se në të kaluarën i kanë tërhequr vëmendjen të atit për sjelljen e tij, përfshirë edhe përdorimin e alkoolit dhe kujdesin gjatë drejtimit të mjetit, por pa mundur ta ndikojnë në mënyrë të vazhdueshme.
Fëmijët kërkojnë mirëkuptim nga publiku për situatën e tyre, duke theksuar se po përballen me pasoja të rënda emocionale për një ngjarje që nuk varet prej tyre. Ata insistojnë që drejtësia të veprojë dhe që babai i tyre të marrë dënimin e merituar, ndërsa apelojnë që të mos mbajnë përgjegjësi për një akt që nuk e kanë kryer vetë.