I kërkuar nga SPAK për trafikimin e 50 tonëve kokainë, arrestohet në Rusi Shpëtim Aliu

I kërkuar nga SPAK për trafikimin e…

Shpëtim Aliu, i njohur edhe si Salvatore Aliu, është arrestuar në Rusi, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të një prej hetimeve më të mëdha të SPAK për trafikun ndërkombëtar të kokainës.

Aliu është një nga 10 personat për të cilët Gjykata e Posaçme caktoi masën e arrestit në burg në qershor të këtij viti, pas hetimeve të zhvilluara nga SPAK për një grup të dyshuar kriminal me aktivitet në trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave.

Sipas hetimeve të SPAK, grupi dyshohet se gjatë viteve 2019–2021 ka trafikuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve europiane. Në dosje përmenden linja që lidhnin Ekuadorin me vende të Bashkimit Europian, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipërinë. Hetimi kishte nisur që në maj të vitit 2020, pas një referimi nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, Aliu dyshohet se kishte një rol qendror në organizimin e ngarkesave, duke vepruar si furnizues, organizator dhe financues. Emri i tij lidhet në dosje edhe me përdorimin e platformës së koduar “Sky ECC”, përmes së cilës hetuesit kanë analizuar komunikimet e anëtarëve të dyshuar të rrjetit.

Në kuadër të të njëjtit hetim janë përmendur edhe emra të tjerë, mes tyre Eldi Dizdari, Dritan Gjika, Armando Pacani dhe persona të tjerë që dyshohet se kishin role të ndryshme në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës në Europë.

Hetimet nuk janë fokusuar vetëm te trafiku i drogës. SPAK dyshon gjithashtu se paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal janë futur në qarkullim përmes bizneseve dhe investimeve në Shqipëri. Në kuadër të operacionit janë kryer 23 kontrolle dhe janë vendosur nën sekuestro qindra pasuri, llogari bankare, automjete, prona dhe biznese, me një vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro.

Sipas raportimeve mbi dosjen, vëllai i Shpëtim Aliut, Isa Aliu, dyshohet se kishte rol në menaxhimin dhe investimin e parave përmes aktiviteteve të biznesit, përfshirë sektorin e ndërtimit dhe pasuritë e paluajtshme.

Tashmë, pas arrestimit të raportuar në Rusi, pritet të ndiqen procedurat ligjore për transferimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat dhe masën e sigurisë të caktuar nga drejtësia shqiptare.

Aliu dhe personat e tjerë të përfshirë në dosje prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit