Kapet në Tiranë shqiptari që drejtonte trafikun e kokainës në Venecia, ishte kthyer nga Dubai
Një 45-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej katër vitesh, është arrestuar në Tiranë gjatë operacionit të koduar “Të kërkuarit”, në bashkëpunim mes Policisë së Shtetit dhe Interpolit.
Sipas mediave italiane, ai kishte një rol kyç në rrjetin e trafikut të drogës në Venecia, ku prej vitesh drejtonte furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës në zonën e lagunës. Shqiptari, emri i të cilit nuk është bërë publik, ishte kthyer së fundmi nga Dubai, ndërsa lëvizjet e familjarëve çuan hetuesit drejt vendndodhjes së tij.
Media italiane “Corriere” shkruan se hetimi u zhvillua nga Skuadra Fluturuese e Venecias dhe Shërbimi Qendror i Operacioneve (SCO), nën koordinimin e Prokurorisë së Venecias. Përmes monitorimit të familjarëve, autoritetet zbuluan se 45-vjeçari jetonte në Dubai, por ishte rikthyer në Shqipëri, çka bëri të mundur arrestimin e tij.
I dënuar përfundimisht për trafikim dhe shpërndarje narkotikësh, shqiptari rezulton se mes viteve 2019-2021 ishte kthyer në një nga figurat kryesore të organizatës kriminale që furnizonte tregun e drogës në Venecia. Ai menaxhonte kanalet e furnizimit me kokainë dhe organizonte shpërndarjen e saj në Mestre dhe zonat përreth.
45-vjeçari ishte në arrati që prej vitit 2022 dhe ndaj tij ishte lëshuar një “njoftim i kuq” nga Interpol. Tashmë pritet të ndiqen procedurat për ekstradimin e mundshëm të tij drejt Italisë.