Një operacion i koduar “Skema” ka çuar në pranga 37-vjeçarin me iniciale M. H., pronar i një servisi automjetesh në zonën e Astirit në Tiranë, pas kallëzimeve të bëra nga disa qytetarë.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 6 nisën hetimet menjëherë pas denoncimeve të pronarëve të mjeteve. Qytetarët kishin dërguar automjetet për servisim dhe kishin kryer pagesat përkatëse, por mjetet nuk u ishin riparuar.
Përveç marrjes së parave pa kryer shërbimin, nga hetimet e kryera rezultoi se në disa raste, 37-vjeçari kishte tentuar madje t’u shiste personave të tretë automjetet që klientët i kishin lënë në servis për riparim.
Deri më tani, policia ka arritur të dokumentojë plotësisht 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale, ndërsa vijon puna për zbardhjen e rasteve të tjera të mundshme ku mund të jetë i përfshirë i arrestuari.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme mbi veprën penale “Mashtrimi”.