
Italia po përballet me një valë të pazakontë të të nxehtit, me temperatura që arrijnë deri në 41°C në disa rajone dhe me nivele të larta lagështie, duke e bërë situatën thuajse të padurueshme për qytetarët dhe veçanërisht të rrezikshme për punëtorët në ambient të hapur.
Deri më tani, janë raportuar tre viktima: dy në Sardenjë dhe një në Genova.
Për shkak të kushteve ekstreme, Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INPS) u ka bërë thirrje kompanive që, në rast ndërprerjeje të punës për shkak të temperaturave mbi 35°C, të kërkojnë kompensime.
Ndërkohë, në Milano, autoritetet kanë vendosur hapjen e një qendre mjekësore emergjente për turistët në tarracat e Katedrales së Duomos, nga data 1 korrik deri më 15 shtator, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 17:00.
Aktualisht, 20 qytete italiane ndodhen në nivelin maksimal të alarmit të kuq për të nxehtin. Parashikimet sinjalizojnë një përmirësim të pjesshëm të motit në veri të vendit gjatë fundjavës, me reshje dhe rënie temperaturash, ndërsa në pjesën qendrore dhe jugore klima pritet të mbetet e nxehtë dhe e qëndrueshme.
Situata është e rëndë edhe në pjesën tjetër të Europës Jugore. Në Spanjë janë shënuar mbi 100 viktima për shkak të vapës, ndërsa në Greqi, zjarret masive në ishullin e Kretës kanë detyruar evakuimin e banorëve dhe turistëve, përfshirë edhe shtetas italianë.
Autoritetet në të gjithë rajonin apelojnë për kujdes maksimal: shmangie të qëndrimit në diell gjatë orëve të pikut, konsumim të rregullt të ujit dhe qëndrim në ambiente të freskëta. Vala e të nxehtit pritet të zgjasë edhe për disa ditë në shumicën e rajoneve.