
Tre efektivë të Komisariatit Nr.1 në Tiranë janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj një të mituri 14-vjeçar gjatë shoqërimit të tij në polici. Lajmi u bë publik pas një denoncimi nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), pas ankesës së prindërve të të miturit dhe u pasqyrua edhe nga JOQ Albania.
Efektivët e pezulluar janë Rasim Dogjani, Durim Murrja dhe Xhorxhina Beqo. Ngjarja që solli këtë masë ka ndodhur më 12 prill 2025, në zonën e Kodrës së Liqenit, ku i mituri J.G. u ndalua nga policia për hedhje kapsollash.
Sipas deklaratës së KShH, gjatë shoqërimit në Komisariat, i mituri është dhunuar, çka është reflektuar në një hematomë në zonën pranë syrit dhe diagnozën mjekësore të dokumentuar si “Contuzion capitis, goditje me grushta”.
Verifikimet e mëvonshme të KShH zbuluan mospërputhje dhe parregullsi në dokumentacionin e ngjarjes, përfshirë korrigjime në emra dhe orare, mungesën e një vizite mjekësore në momentin e ndalimit dhe faktin se psikologia e regjistruar në dokumente nuk ka qenë fare e pranishme në komisariat, por vetëm në Spitalin e Traumës – ku i mituri u dërgua pas ndërhyrjes së prindërve.
KShH thekson se trajtimi i 14-vjeçarit ka qenë në kundërshtim me ligjet shqiptare, përfshirë Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur. Më 13 prill, prindërit e të miturit kanë depozituar kallëzim pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës.
Njoftimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:
Në vijim të hetimeve lidhur me procedimin penal të vitit 2025, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ekzekutuar Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj 3 punonjësve të policisë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” në bashkëpunim dhe kundër fëmijëve.
N/Komisar Xh. B., me detyrë Specialiste / Përgjegjëse turni në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë.
Inspektor D. M., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë.
Inspektor R. D., me detyrë Trupë Shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 1 Tiranë.
Caktimi i masave të sigurimit personal u bë i mundur pasi me datë 12/04/2025 këta punonjës policie dyshohet se kanë kryer veprime arbitrare gjatë shoqërimit të shtetasit të mitur E. G.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090, ose duke dërguar Email në adresën [email protected].