I papunë, por bënte jetë luksi: Si u kap 19-vjeçari shqiptar në Itali

I papunë, por bënte jetë luksi: Si…

Një 19-vjeçar, shtetas italian me origjinë shqiptare, është arrestuar nga Policia e Shtetit në Savona të Italisë, pasi gjatë një operacioni antidrogë iu sekuestruan mbi 3 kilogramë lëndë narkotike, para cash dhe materiale për përgatitjen e dozave për shitje.

Sipas autoriteteve italiane, hetimi nisi në kuadër të një operacioni kundër shpërndarjes së drogës mes të rinjve. Vëmendja e hetuesve u përqendrua te 19-vjeçari pasi, megjithëse nuk kishte një punë të rregullt, ai bënte një jetë luksoze, duke blerë veshje firmato dhe bizhuteri, shpenzime që dyshohet se financoheshin nga aktiviteti i paligjshëm.

Fillimisht i riu u tha policëve se përdorte vetëm banesën e familjes, por hetuesit kishin vërejtur se ai frekuentonte edhe një apartament tjetër në lagjen Villapiana të Savonës. Gjatë kontrollit të kryer në këtë banesë, me ndihmën e njësisë antidrogë dhe qenit të policisë “Rey”, dyshimet u konfirmuan.

Brenda apartamentit u sekuestruan rreth 1.03 kilogramë hashash, 2.145 kilogramë marijuanë dhe 280 gramë kokainë. Lënda narkotike ishte fshehur në kuzhinë dhe në një depo, brenda enëve të ushqimit, dollapëve dhe madje edhe në frigorifer.

Sipas policisë, droga e sekuestruar do të kishte një vlerë prej mbi 50 mijë eurosh nëse do të shitej në tregun e paligjshëm me pakicë.

Gjatë kontrollit u gjetën gjithashtu materiale për paketimin e dozave, dy telefona celularë dhe 1 400 euro cash në prerje të ndryshme.

Në përfundim të operacionit, 19-vjeçari u arrestua me akuzën e posedimit të lëndëve narkotike me qëllim shitjen dhe u dërgua në burgun e Marassit në Genova, ku do të qëndrojë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit