"I penduari" i drejtësisë e humb toruanë, rreh policin brenda burgut

“I penduari” i drejtësisë e humb toruanë,…

Një incident i pazakontë është regjistruar në ambientet e paraburgimit Nr. 313 në Tiranë, pikërisht në sektorin e sigurisë së lartë ku mbahen disa prej bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Sipas gazetarit Elton Qyno, në mesin e muajit gusht 2026 ka pasur një përplasje fizike mes Nuredin Dumanit dhe efektivit të Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, Rexhep Sina.

Mësohet se Sina, i cili ishte ngarkuar me garantimin e sigurisë fizike të Dumanit, ka depozituar kallëzim penal pranë Policisë së Burgjeve. Pas referimit të rastit, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar një procedim penal për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.

Sipas të dhënave të bëra publike, konflikti ka përfunduar me goditjen fizike të efektivit nga ana e Dumanit, ndërsa dyshohet se polici është kërcënuar edhe me jetë. Deri tani, nuk është bërë i ditur motivi i saktë që ka çuar në përplasjen mes tyre.

Ky nuk do të ishte incidenti i parë që lidhet me Dumanin dhe efektivët e Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Në të kaluarën, ai është raportuar se ka pasur një përplasje fizike edhe me të penduarin tjetër të drejtësisë, Amarildo Nikolli.

Sipas raportimeve, në raste të ndryshme efektivët e Mbrojtjes së Dëshmitarëve janë përdorur nga persona të përfshirë në procedime të SPAK-ut edhe për kryerjen e shërbimeve të ndryshme, përfshirë blerjen e cigareve apo artikujve ushqimorë.

Nuredin Dumani, i arrestuar më 29 mars 2022, vijon të ketë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe është përdorur nga SPAK si dëshmitar në disa prej dosjeve të rëndësishme kriminale. Ai ka dhënë dëshmi në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, si dhe në hetime që lidhen me persona dhe grupe të tjera kriminale, përfshirë dosjet ndaj Suel Çelës, Behar Bajrit, Bujar Gërmizit dhe “Visit të Pojës”.

Megjithatë, paralelisht me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Dumani është marrë i pandehur në disa procedime penale dhe përballet me akuza të rënda. Në dosjen “Plumbi i Artë” dhe në çështjen që lidhet me Behar Bajrin, ai rrezikon edhe dënimin me burgim të përjetshëm.

SPAK e akuzon zyrtarisht Dumanin për tetë vrasje, tentativa vrasjeje, sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve, grabitje me dhunë dhe armë, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit