Një ngjarje e rëndë që cenon rëndë imazhin e turizmit dhe sigurinë në vend është zbardhur vetëm ditën e sotme nga Policia e Shkodrës. Një çift bashkëshortësh gjermanë, të cilët kishin ardhur për të vizituar veriun e Shqipërisë, kanë rënë pre e një grabitjeje horror me armë zjarri rreth tre javë më parë.
Ngjarja ka ndodhur natën e 9 qershorit në aksin rrugor Domen–Postribë. Turistët gjermanë po qëndronin të qetë brenda në automjetin e tyre kur janë rrethuar nga katër persona. Nën kërcënimin e armës së zjarrit dhe terrorit, autorët u kanë rrëmbyer të huajve një shunë prej 500 eurosh dhe janë zhdukur në errësirë.
Pas plot tre javësh hetime, Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar në mënyrë ironike “Rest time” (Koha për pushim). Por rezultatet e aksionit lenë shumë për të dëshiruar dhe ngrenë pikëpyetje:
-
Në pranga ka përfunduar vetëm një 16-vjeçar, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në grabitje.
-
Për dy të rinj të tjerë të përfshirë, të moshave 27 dhe 20 vjeç, policia dhe prokuroria kanë vendosur procedim në gjendje të lirë (janë lënë të lirë).
-
Shtetasi i katërt është shpallur në kërkim.
Njoftimi i plotë i Policisë Shkodër:
“Zbardhen rrethanat e vjedhjes së një shume parash, 2 shtetasve të huaj (bashkëshortë), me anë të kanosjes me armë zjarri, rreth 3 javë më parë, në fshatin Domen. Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Në vijim të punës së pandërprerë hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër finalizuan operacionin e koduar “Rest time”. Në kuadër të këtij operacioni, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan një 16-vjeçar, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas, të moshave 27 dhe 20 vjeç, si dhe shpallën në kërkim 1 shtetas.
Nga veprimet hetimore dyshohet se më datë 09.06.2026, gjatë natës, në aksin rrugor “Domen-Postribë”, 16-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë, iu ka marrë 500 euro, 2 shtetasve gjermanë (bashkëshortë), të cilët po qëndronin në automjetin e tyre. Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.”
Ndërsa policia mburret me operacionin pas 21 ditësh vonesë, mbetet e paqartë se si autorët e një grabitjeje me armë ndaj turistëve procedohen në gjendje të lirë, duke u kthyer në një rrezik real për sigurinë e vizitorëve të tjerë në kulmin e sezonit turistik.