Një student i kursit të Administrimit Publik në “Akademinë Profesionale Elita” ka ngritur shqetësimin për mungesën e diplomës pas përfundimit të kursit 6-mujor. Ai tregon se pas pagesës prej 30 eurosh, dorëzimit të detyrës së kursit dhe dokumenteve të tjera të kërkuara, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga akademia. Studentët që kanë përfunduar kursin, sipas tij, kishin pritur të merrnin diplomën e skanuar në email dhe kartonin origjinal pas një jave, por kjo nuk ka ndodhur.
Për më tepër, studenti thekson se është përpjekur të kontaktojë Akademinë Elita me drejtues Dritan Broka, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Ai ka shtuar se që prej muajit gusht numri i telefonit të akademisë ka dalë i fikur dhe në email nuk kthehet përgjigje. Studenti gjithashtu ka përmendur se ka tentuar të vizitojë zyrat e akademisë, por ato janë shënuar si “Permanently Closed” në Google Maps. Ai kërkon që Akademia Elita të marrë përgjegjësi për këtë situatë dhe të sigurojë që diplomën e premtuar t’ua dërgojë studentëve në përputhje me afatet e parashikuara.
“Përshëndetje. Doja t’ju bëja një ankesë në lidhje me një Akademi profesionale që përgatit studentët në kurse të ndryshme. Akademia profesionale quhet “Akademia Elita”. Në muajin prill, Akademia Elita hapi aplikimet për studimet në kursin e degës Administrim Publik. Studentët që kishin kartën e studentit e përfitonin falas, kundrejt një pagesë të tarifës me vlerë 30 euro, ndërsa studentët e tjerë, pa kartën e studentit, duhet të paguanin vlerën e plotë. Megjithatë, pas 6 muajsh, kur disa e bënë online dhe disa të tjerë e ndoqën fizikisht, Akademia Elita kërkoi të plotësonin formularin që kishim ndjekur rregullisht orët e kursit, si dhe në fund duhet të bënim dorëzimin e detyrës së kursit që ata na caktuan. Për plotësimin e dokumentacionit, duhet të dërgonim foto të pasaportës dhe një foto dokumenti. Dhe më pas, pas verifikimit të tyre, ne do të merrnim diplomën e skanuar në email dhe pas një jave do të merrnim diplomën (kartonin) nëpërmjet postës. Por që për fat të keq, pas mbarimit të kursit 6 muaj, dorëzimit të detyrës së kursit, dorëzimit të formularit dhe të dokumenteve të tjerë, Akademia Elita nuk u përgjigj kursantëve të saj, as në email, as në Whatsapp dhe as në telefon. Që prej muajit gusht, numri i telefonit i Akademisë Elita del i fikur. Në email nuk të kthen njeri përgjigje, si dhe në Whatsapp nuk përgjigjet njeri. Kjo gjë nuk ka ndodhur vetëm me mua, por dhe me kursantët e tjerë që ndoqëm kursin së bashku. Ju lutem, më ruani anonimatin. Ata nuk përgjigjen. Problemin tim e kanë edhe disa të tjerë. Nuk kam kontakt me ata të tjerët. Shiko, të jem i sinqertë, ata e kanë lënë vetë pas dore. Unë e mora iniciativën dhe ju thash sepse mua më nevojitet kjo certifikatë, ndërsa ata e kanë thjesht për të plotësuar CV-në. Ata vetëm më janë shprehur që nuk e kanë marrë. Unë nuk kam qenë ndonjëherë në zyrat fizike, kam dashur të shkoj, por aty në Google Maps shkruan “Permanently Closed”. Faleminderit!”, shkruan studenti.
