I riu nuk lidhet dot me nënën në Infektiv në Tiranë: Kam edhe vëllanë 25 vjeçar të shtruar, ka shumë…

I riu nuk lidhet dot me nënën…

Në oborrin e spitalit Infektiv janë rikthyer pamjet e dhimbshme të familjarëve që presin në radhë për të ditur mbi shëndetin e të afërmve të tyre të shtruar. Në një intervistë për Fax Neës, disa prej familjarëve shprehen se nuk kanë komunikim të vazhdueshëm me të afërmit e tyre, dhe janë mjekët ata që në shumicën e herëve i informojnë për gjendjen.

Në mesin e të shtruarve është dhe një 25-vjeçar së bashku me nënën e tij, e cila ishte vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës kineze Sinovac. Djali tjetër i familjes tregon se i riu nuk ka qenë i vaksinuar, ndërsa nëna e tij ka qendruar për 10 ditë me simptoma në banesë.

I riu tregoi se edhe pse gjenden të dy të shtruar në infektiv, i vëllai nuk ka mundësi që të takohet me nënën e tij, pasi ka shumë marrje mendsh, dhe mjekët nuk e lejojnë që të lëvizë në pavion.

“Kam të shtruar mamin dhe vëllain, vëllai është mirë, nëna është pak më rëndë pasi ka probleme të tjera shëndetësore si trashje gjaku dhe tensioni. Me mamanë nuk kam folur, doktoresha ka thënë që gjendja do të përmirësohet. Me vëllain kemi komunikuar, vëllai nuk ishte i vaksinuar, mamaja ishte, mesa di ishte vaksinuar me kinezen.

Ajo ishte keq prej 10 ditësh në shtëpi, mori disa gjilpëra, që sipas mjekëve këtu na thanë që e bënë më keq, ne vijmë nga Fieri. Mjekët na thanë se ilaçet e kanë përkeqësuar, dhe nuk duhet ta kishim mbajtur 10 ditë në shtëpi. Kemi 4 ditë që nuk kemi folur dot me mamanë, nuk ka telefon. Kanë marrë vetëm dy herë mjekët që na kanë folur për gjendjen.

Vëllai ka shumë marramendje, dhe nuk lejohet që të lëvizet, vëllai është 25 vjeç, ndërsa nëna 65 vjeç”, u shpreh i riu nga Fieri.

Ndërkohë që edhe një e re tregon se ka të shtruar në spital vjehrrin e saj, i cili po ashtu ka qenë i vaksinuar me dy doza të vaksinës kineze.

“Kam vjehrrin të shtruar, deri tani mirë duket, e kemi sjellë mbrëmë. Po ka qenë i vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës Sinovac, në mëngjes ka qenë mjekja që më ka folur për gjendjen. Tha që ishin rritur parametrat e oksigjenit, presim tani si do të dalin rezultatet e skanerit. I ra goxha oksigjeni në momentin kur e mbanim në shtëpi. Jo ka celularin dhe mund të komunikojmë në çdo kohë”.

Numri i personave të shtruar në spitalin Infektiv ka shkuar në 103, nga të cilët 16 janë në gjendje më të rënduar.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit