I sekuestrohen 2,1 mln euro pasuri në 'Rrugën e Kavajës' në Tiranë e Vlorë, dy personave

I sekuestrohen 2,1 mln euro pasuri në…

Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Asetet”, për identifikimin, gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale. Finalizimi i operacionit, pas një viti hetimesh intensive dhe komplekse. Vendosen sekuestro preventive ndaj pasurive të 2 shtetasve të huaj, të dy me rekorde të theksuara kriminale, pasuri që kapin vlerën 2.1 milionë euro.

Policia e Tiranës, në kuadër të operacionit “Asetet”, për identifikimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë Tiranë, në funksion të procedimit penal të regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, pas provave të grumbulluara gjatë një viti hetimi, ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në ngarkim të shtetasve:

H.L, 50 vjeç, lindur në Junik, Kosovë dhe banues në Olten, Zvicër;

R.(A.)S, 47 vjeç, lindur në Poloni dhe banues në Olten, Zvicër.

I pari, H.L. është nën hetim nga Prokuroria e qytetit Solothurn, Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”.  Ky shtetas është i njohur për veprimtari kriminale në Zvicër, pasi është dënuar nga Gjykata e Olten-Gosen/So, më datë 26.11.2011, për veprat penale “Zhvatje me dashje”, “Sulm”, “Shtrëngim për dhënie pasurie”,“Shkelje e ligjit për armët”, të ndodhura në kohë të ndryshme.

Shtetasi R. (A.) S. është në kërkim kombëtar në Zvicër, për veprat penale që lidhen me lojërat e fatit (kazinotë) dhe “Pastrim parash”. Në bazë të materialeve të dërguara nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë bëri regjistrimin e procedimit penal, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Pas një pune të mirorganizuar të strukturave të Policisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si dhe plan-operacionit “Asetet”, u bë e mundur që të sekuestrohen asete dhe llogari bankare në shumën 2.1 milionë euro, konkretisht:

• 3 apartamente në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

• Njësi tregtare e ndodhur në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

• Sipërfaqe toke, afërsisht 5.500 m2, në Radhimë, Vlorë;

• Asete të një ish-kompanie të transportit ndërkombëtar të mallrave;

• Llogari bankare pranë bankave të nivelit të dytë, në shumën 240.000 euro dhe 210.000 franga zvicerane;

• 6 automjete të markave të ndryshme, prodhime të viteve të fundit;

Vijon puna për të zbuluar asete (prona) të tjera që rrjedhin nga aktiviteti kriminal i këtyre shtetasve, të cilat mund t’i kenë në emër të personave të tjerë apo të bashkëpunëtorëve në këtë aktivitet kriminal.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit