I vendosi tritol shtëpisë së Ilir Koçiles, identifikohet autori

I vendosi tritol shtëpisë së Ilir Koçiles,…

Florin Llana është autori i vendosjes së eksplozivit në banesën e 35-vjeçarit Ilir Koçilja në qytetin e Durrësit në datën 26 shkurt 2024.

Policia e ka shpallur në kërkim Llanën për veprën penale “Shkatërrim i pronës me ekspoloziv”. Sipas informacioneve ai shkoi në banesën e Koçiles dhe hodhi një sasi 500 gramë tritol, teksa veshur mbante rroba të zeza, një kapele dhe me vete kishte një qese.

Një ditë pas ngjarjes ai është larguar jashtë vendit me një automjet të cilin e kishte marrë me qira. Sipas burimeve zyrtare nga uniformat blu, Florini rezulton person i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale.

Ilir Koçilja ndodhet në burg pasi në datën 14 shkurt 2024, vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka për shkak të konflikteve të vazhdueshme që kishin për parkimin e automjetit.

Njoftimi i Policisë:

Durrës-Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 26.02.2024, në lagjen nr. 3, ku një shtetas i paidentifikuar vendosi lëndë eksplozive në banesën e një shtetasi. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u bë i mundur identifikimi i shtetasit të dyshuar si autor i vendosjes së lëndës eksplozive. Nga verifikimet e kryera rezulton se ky shtetas ka dalë nga Shqipëria, një ditë pas ngjarjes.

Strukturat hetimore te Komisariatit të Policisë Durrës, pas një pune të thelluar hetimore, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, bazuar në këqyrjen e kamerave dhe në inteligjencën policore, kanë bërë të mundur idemtifikimin e autorit të vënies së lëndës eksplozive në banesën në pronësi të shtetasit I. K., ku si pasojë e shërthimit pati vetëm dëme materiale. Nga veprimet e shpejta dhe profesionale hetimore, administrimi i provave në vendngjarje, si dhe këqyrja e kamerave, dyshohet se autori është larguar me një automjet të marrë me qira, drejt lagjes nr. 6.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim autori i dyshuar, shtetasi F. Ll., i dënuar më parë për ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Durrësit. Vijon puna intensive për kapjen e tij. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit