Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur gjatë natës në Krujë, ku objektiv ka qenë një automjet tip “Fiat”. Nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa mjeti ka pësuar vetëm dëme materiale. Sasia e tritolit dyshohet se ka qenë e vogël dhe ishte vendosur në pjesën e kofanos së automjetit.
Policia ka sekuestruar disa kamera sigurie, ku dyshohet se është fiksuar autori i ngjarjes. Sipas pamjeve, personi ka vendosur lëndën plasëse dhe më pas është larguar në këmbë, ndërsa kishte veshur rroba të errëta me qëllim që të mos identifikohej.
Automjeti rezulton në pronësi të Dervish Gunit, i cili ka deklaruar para hetuesve se nuk ka konflikte me persona të tjerë dhe nuk ka dijeni për arsyen e sulmit. Megjithatë, policia po heton pista të ndryshme, përfshirë edhe një konflikt të mundshëm pronësie, ndërsa dyshimi kryesor është se shpërthimi ka qenë një mesazh paralajmërues ndaj pronarit të mjetit.