“I zgjuar si macet”/ Njësia e parë e mbarështimit të oktapodit shkakton reagime

“I zgjuar si macet”/ Njësia e parë…

Plani për të ndërtuar njësinë e parë të mbarështimit të oktapodëve në botë po shkakton një reagim të ashpër, pasi kërkimet kanë treguar se këta jovertebrorë janë inteligjentë si macet, ndërsa ndjejnë emocione si dhimbje dhe kënaqësi. Siç zbulohet nga BBC, kompania spanjolle Nueva Pescanova planifikon të ngrejë një strukturë në ishujt Kanarie të Spanjës, ku do të kultivohen rreth një milion oktapodë çdo vit.

Oktapodët nuk janë kultivuar kurrë intensivisht deri më tani, por rreth 350,000 tonë të konsumuar në mbarë botën janë kapur në det me mjete të ndryshme. Ekspertët janë përpjekur për dekada të tëra për të zbuluar sekretin e mbarështimit të oktapodit. Kjo konsiderohet e vështirë pasi larvat hanë vetëm ushqim të gjallë dhe kanë nevojë për një mjedis të kontrolluar me kujdes. Por Nueva Pescanova njoftoi në vitin 2019 se kishte bërë një zbulim shkencor.

Megjithatë, perspektiva e kultivimit intensiv të oktapodeve tashmë po shkakton reagime. Në SHBA, ligjvënësit në shtetin e Uashingtonit po bëjnë thirrje që kjo praktikë të ndalohet para se të fillojë. Sipas planeve të Nueva Pescanova, kompania synon të prodhojë 3000 ton oktapod në vit për tregjet e SHBA, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Kjo është praktikisht 1 milion oktapodë, që do të thotë se çdo metër kub do të ketë 10-15 oktapodë. 

Plani parashikon që oktapodët të vriten duke i vendosur në kontejnerë me ujë akulli në -3 gradë Celsius. Deri më tani nuk ka rregulla për trajtimin e oktapodëve, pasi ato nuk janë kultivuar deri më tani komercialisht. Por studimet kanë treguar se kjo metodë e vrasjes shkakton një vdekje të ngadaltë dhe stresuese.

Në fakt, disa supermarkete si zinxhirët Tesco dhe Morrisons refuzojnë të shesin peshq që janë vrarë duke përdorur akull. Siç thotë profesori Peter Tse, një neurolog në Universitetin Dartmouth, për BBC, kjo është një “vdekje e ngadaltë, do të jetë shumë mizore dhe nuk duhet lejuar. Oktapodët janë po aq të zgjuar sa macet”, vëren ai dhe sugjeron vrasjen e tyre në mënyrën se si përdorin shumë peshkatarë, gjë që është një goditje në kokë.

Jonathan Birch, një profesor i asociuar në Shkollën Ekonomike të Londrës, vëren, pas shqyrtimit të të paktën 300 studimeve shkencore, se oktapodët ndjejnë dhimbje dhe kënaqësi. “Një numër i madh oktapodësh nuk duhet të vendosen kurrë së bashku. Të bësh këtë çon në stres, konflikt dhe vdekshmëri të lartë”, thotë ai. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit