I zhdukur dhe në kërkim, Alket Rizai del në skenën e një vrasjeje në burg; publikohen pamjet

I zhdukur dhe në kërkim, Alket Rizai…

Emri i Alket Rizait rikthehet në një tjetër dosje të rëndë në Greqi. Sipas raportimeve të mediave greke,  Rizai del në hetimin për vrasjen e të dënuarit Antonis Papadatos, i ekzekutuar me tre plumba brenda burgut të sigurisë së lartë në Domokos, më 15 shkurt 2026.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e mbledhura gjatë hetimit e vendosin Rizain në zonën e burgut ku ndodhi ngjarja, ndërsa vetë ai ka mohuar se ndodhej në ambientin ku u vra Papadatos. Për vrasjen akuzohet një i dënuar bullgar me burgim të përjetshëm, i cili ka marrë përsipër autorësinë. Megjithatë, autoritetet greke kanë vijuar hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes.

Sipas SKAI, pak para vrasjes, Papadatos ndodhej në ambientet e përbashkëta të repartit D. Më pas, i dënuari bullgar e thërret dhe të dy nisen drejt zonës së ish-zyrës së shefit të rojeve. Në të njëjtën kohë, kamerat regjistrojnë edhe Alket Rizain duke lëvizur në drejtim të së njëjtës zonë, i shoqëruar nga të burgosur të tjerë.

Në zonën e administratës ndodheshin Papadatos, i dënuari bullgar, shefi i rojeve dhe Rizai. Sipas pamjeve të publikuara, shefi i rojeve shihet duke përshëndetur Rizain, ndërsa më pas grupi drejtohet drejt ish-zyrës së shefit të rojeve, një ambient që nuk mbulohej nga kamerat e sigurisë. Pikërisht aty Papadatos u qëllua me tre plumba.

Një dëshmi e një punonjësi të burgut është gjithashtu pjesë e materialeve të hetimit. Sipas tij, pasi dëgjoi të shtënat që vinin nga zona e ish-zyrës së shefit të rojeve, pa Alket Rizain të dilte i pari nga aty. Kjo dëshmi bie në kontrast me deklarimin e Rizait se nuk ndodhej në vendin e krimit.

I dënuari bullgar, i cili ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, ka pretenduar se Papadatos kishte një armë të fshehur në veshje dhe se gjatë një përleshjeje arma u shkrep. Megjithatë, autoritetet greke kanë shqyrtuar edhe mundësinë e një ekzekutimi të organizuar dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si një armë zjarri përfundoi brenda një burgu të sigurisë së lartë.

Për të njëjtën çështje është arrestuar dhe lënë në paraburgim edhe ish-shefi i rojeve të burgut të Domokos, i cili ndodhej në vendin e ngjarjes dhe, sipas raportimeve të mediave greke, ka dhënë deklarime që nuk përputheshin me disa prej provave të hetimit.

Rasti i Papadatos mbetet ende nën hetim, ndërsa përfshirja e mundshme e Rizait në ngjarje nuk është konfirmuar me një vendim gjyqësor. Emri i tij është rikthyer në vëmendje pikërisht në një moment kur ai ndodhet në arrati pas largimit nga burgu në Greqi dhe kërkohet nga autoritetet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit