Zhduket pa gjurmë i moshuari nga Kosova, erdhi në Tiranë për të takuar një të njohur

Zhduket pa gjurmë i moshuari nga Kosova,…

Një 80-vjeçar nga Ferizaj i Kosovës rezulton i humbur në Tiranë, ndërsa familjarët dhe Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim e Kosovës kërkojnë ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij.

Bëhet fjalë për Hamëz Ismajlin, i cili është nisur më 17 gusht nga Ferizaj drejt Tiranës me autobus, për të takuar një person që njihte.

Sipas informacioneve të mbledhura nga personat që po merren me kërkimin e tij, Hamëz Ismajli ka zbritur në Tiranë dhe është parë në disa kafeteri, ku ka pyetur për një person dhe një restorant. Më pas, ai është parë duke hipur në një autobus urban, në drejtim të qendrës së Tiranës.

Gjurmët e fundit të tij datojnë më 18 gusht, kur është parë në Stacionin e Autobusëve në Tiranë. Që prej asaj dite, nuk ka më asnjë informacion për vendndodhjen e 80-vjeçarit.

Shoqata për Kërkim dhe Shpëtim e Kosovës bën me dije se është në kontakt me policinë dhe kompanitë e autobusëve dhe se Hamëz Ismajli nuk është kthyer drejt Kosovës pas mbërritjes në Tiranë.

Familjarët dhe personat që po kërkojnë të moshuarin apelojnë për ndihmën e qytetarëve në Shqipëri. Kushdo që e ka parë Hamëz Ismajlin ose ka informacion mbi vendndodhjen e tij, lutet të kontaktojë Policinë ose të njoftojë redaksinë e JOQ Albania.

Çdo informacion, edhe nëse duket i parëndësishëm, mund të ndihmojë në gjetjen e 80-vjeçarit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit