Pas goditjes së rëndë që pësoi Shërbimi Informativ i Shtetit (SHISH) nga hetimet e SPAK-ut ndaj Vlora Hysenit, sipas burimeve për mediat, kryeministri Edi Rama duket se ka gati pasardhësen, vartesën e ish-drejtoreshës, Esmeralda Hasanin. Hasani është një nga emrat që përflitet se do pasojë Hysenin në krye të SHISH.
Por ky zëvendësim, në vend që të shënjonte një kthesë apo distancim nga skandalet, po ngre shqetësime të reja për mënyrën se si përzgjidhen drejtuesit e institucionit më të ndjeshëm të sigurisë kombëtare.
Esmeralda Hasani, juriste, pedagoge dhe ish-konsulente e Kryeministrisë nuk është një emër i panjohur, por ajo nuk ka një histori të gjatë e të dokumentuar në operacionet e inteligjencës. Ajo që e bën këtë lëvizje të çuditshme është fakti se Hasani u afrua në strukturat e SHISH-it (në krye të Departamentit Mbështetës) pikërisht nga Vlora Hyseni, pak kohë para se kjo e fundit të përfundonte nën masë sigurie dhe nën hetim për rrjedhje informacioni sekret.
Për ta thënë thjesht: Rama po zëvendëson Hysenin me një person që vetë Hyseni e kishte zgjedhur dhe sjellë në sistem.
Kontrata italiane dhe dilema e konfliktit të interesit
Përtej lidhjeve të brendshme, një dokument zyrtar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) hedh dritë mbi një detaj tjetër që kërkon sqarim urgjent. Në janar të vitit 2026, Hasani rezulton të jetë lidhur me një kontratë konsulence prej 46,200 eurosh për asistencë teknike pranë Zyrës së Kryeministrit, një marrëdhënie që sipas dokumenteve kishte nisur që prej vitit 2021.
Këtu lindin pyetjet: Kur Hasani u transferua në strukturat e SHISH-it, a u mbyll zyrtarisht kjo kontratë financiare me agjencinë e huaj? A ka pasur një mbivendosje të detyrave, pagesave apo një konflikt të mundshëm interesi që duhej të ishte filtruar nga filtrat e rreptë të sigurisë kombëtare
Ligjet për konfliktin e interesit dhe statusin e punonjësit të SHISH-it kërkojnë transparencë maksimale, e cila në këtë rast duket e mjegullt.
Kalimi i stafetës te një tjetër ish-këshilltare e së njëjtës linjë paraprake, pa dhënë llogari për pikëpyetjet e ngritura mbi të kaluarën e saj kontraktuale, tregon se kriteret e emërimeve në krye të sekreteve të shtetit vazhdojnë të mbeten të mbyllura në hije.