‘Iku në Mal të Zi në fund të shkurtit’/ Nëna e Ernejt Shytit: Një natë erdhi me ...

‘Iku në Mal të Zi në fund…

Qelizat e celularit, kanë çuar Policinë në shtëpinë ku Ernejt Shyti ka qëndruar ditët e fundit, para se të kryente vrasjen e Behar Sofisë. Shtëpi ku jetonte me qira nëna e tij, Klotilda Lakollari, e cila është e divorcuar nga babai i Ernejtit.

Në dosjen e Prokurorisë, përveç dëshmive të tjera, është edhe ajo e nënës së 24-vjeçarit Shyti, e cila tregon lëvizjet e të birit.

‘I është kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lejimi i kontrollit të kësaj banese. Në bazë të vendimit datë 09.03.2021 të Gjykatës së Tiranës, për kryerjen e kontrollit në ketë banesë, në pronësi të shtetasi Jorgji Sh. dhe Qefsere Sh., është proceduar me kryerjen e kontrollit. Më datë 10.03.2021, në orën 16:10- 18:15 është ushtruar kontroll në këtë banesë, ku nuk u konstatua asgjë e kundërligjshme. Nga ky veprim ka rezultuar se kjo banesë përdorej me qira nga shtetasja Klotilda Lakollari’, thuhet në dosje.

Më datë 10.03.2021 i është marrë deklarim shtetases Klotilda Lakollari, e cila deklaron se punon si banakiere te bar kafe ‘E…’ dhe jeton e vetme, në banesën e shtetases Qefsere Sh., e cila ndodhet në rrugën ‘Vexhi Buharaja’, pallati nr. 3. shkalla nr. 2. apartamenti nr. 6.

Po ashtu, deklaron se ka qenë e martuar me shtetasin Sokol Shyti, ku nga kjo martese ka dy djem binjakë. Ernejt Shyti dhe Ergit Shyti. Njëri nga binjaket, Ernejti, që prej dy vitesh jeton në shtetin e Malit të Zi, ku punon si hekurkthyes në ndërtimin e aeroportit të Malit të Zi. Djali tjetër, Ergiti, jeton në fshatin Kërrabë të Tiranës dhe është i papunë.

Ernejti ka ardhur në Shqipëri pak ditë para Vitit të Ri 2021 dhe ka qëndruar në Shqipëri deri në fund të shkurtit, kur është larguar drejt shtetit të Malit të Zi. Herën e fundit që e ka parë Ernejtin, ai ka qenë në gjumë në krevat, pasi i është dashur të ikte herët në mëngjes për në punë.

Ditën që Ernejti ka ikur, ka marrë me vete dhe të gjitha rrobat e tij, përveç tutave të gjumit, të cilat iu sekuestruan në banesë. Ernejti, gjatë kohës që ka qenë në Shqipëri ka qëndruar dhe në fshatin Kërrabë ku banojnë prindërit e saj, edhe në Tiranë në banesën e saj.

Gjatë kësaj kohe, Ernejti ka lëvizur me një patinë me bateri, të cilën e ka blerë në internet djali tjetër, Ergiti, ndërsa një ditë ka parë që Ernejti ka ardhur në shtëpi me një biçikletë me ngjyrë të errët, si e zezë apo kafe dhe nuk kishte as mbrapafangon te goma e prapme. Për këtë biçikletë ai ka thënë se e kishte ndërruar me patinën vetëm për një ditë me një shokun e tij.

Kjo biçikletë dukej si e vjetër. Ernejti nuk ka shokë në Tiranë, me sa është në dijeni nuk ka as shoqe dhe as të dashur. Kur vjen në Shqipëri ai shoqërohet me shokët që ka pasur në shkollë, në fshatin Kërrabë. Për herë të fundit Ergitin e ka parë të dielën, në datën 28 shkurt në Kërrabë, te shtëpia e prindërve.

Djali tjetër, Ergiti, ka qenë në Greqi prej gati tri vitesh dhe është kthyer dhe ai për Vitin e Ri 2021 si vëllai i tij dhe nuk ka ikur më për në shtetin grek, pasi ka ekspuls për dy vjet se ka shkelur vizën. Ergiti nuk ka qenë asnjëherë në banesën ku ajo jeton me qira në rrugën ‘Vexhi Buharaja’.

Me sa ka dijeni, Ergiti nuk ka as shoqe dhe as të dashur dhe si vëllai i tij ka shoqëri vetëm me shokët që ka në fshatin Kërrabë, pra me shokët e shkollës dhe me ata që janë banorë të fshatit. Herën e fundit që ka takuar Ergitin, ai ka pasur të veshur një xhup me lara, si ato të ushtrisë, dhe një palë pantallona xhins të zeza.

Kësaj shtetaseje i janë sekuestruar disa sende në cilësinë e provës materiale, si celular, tuta edhe iu mor një kampion ADN-je, që iu nënshtrua ekspertimit biologjik ADN krahasues.

Sipas aktit datë 12.03.2021, ekspertim biologjik krahasues ADN-je për shtetasen Klotilda Lakollari, sipas konkluzioneve rezulton:

Nga mostra e ekzaminuar mbi bazën e ADN-së, përgatitur nga njëri prej 2 tamponëve me materialin biologjik pështymë, marrë shtetases Klotilda Lakollati (provë materiale nr.1) model krahasimi, u përftua profil gjenetik i plotë i seksit femër me karakteristikat e përshkruara në akt;

Nga krahasimet e kryera rezulton se profili gjenetik i shtetases Klotilda Lakollari dhe profili gjenetik i përftuar nga maska kirurgjikale e ekzaminuar nga ana jonë me akt të veçantë, paraqesin lidhjen gjenetike nënë-bir.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit