Ilaçet e reja mund t'i japin fund obezitetit në botë

Ilaçet e reja mund t’i japin fund…

Shumë njerëz që vuajnë nga obeziteti, dëshpërimisht kanë përdorur ilaçe të ndryshme me shpresën se do ndikonte në uljen e kilogramëve të tepërta. Tashmë një klasë e re e barnave, e quajtur agonistë të receptorit glp -1, duket se funksionon. 

Semaglutide, e zhvilluar nga Novo Nordisk, një firmë farmaceutike daneze, ka treguar në provat klinike se çon në humbje peshe prej rreth 15%. Ai po shitet me emrin e markës Wegovy në Amerikë, Danimarkë dhe Norvegji dhe së shpejti do të jetë i disponueshëm në vende të tjera. Ozempic, një version me dozë më të ulët, është një ilaç për diabetin, por përdoret “jozyrtarisht” për humbje peshe. 

Një tjetër ilaç glp -1, i prodhuar nga Eli Lilly, një firmë amerikane, do të dalë në shitje më vonë këtë vit dhe është akoma më efektiv. Analistët besojnë se tregu për barnat glp-1 mund të arrijë në 150 miliardë dollarë deri në vitin 2031, duke iu afruar tregut aktual për barnat e kancerit. Disa besojnë se këto barna mund të bëhen po aq të zakonshme sa beta bllokuesit ose statinat.

Në vitin 2020 u vlerësua se dy të pestat e popullsisë së botës ishin ose mbipeshë ose obezë. Deri në vitin 2035 kjo shifër mund të rritet në më shumë se 50%, duke arritur në 4 miliardë njerëz mbipeshë ose obezë, sipas organizatës joqeveritare Federata Botërore e Obezitetit. Popullsia, e cila has probleme me obezitetin nuk jeton në Perëndimin e pasur, por në vende të tilla si Egjipti, Meksika dhe Arabia Saudite. Obeziteti shkakton një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë diabetin, sëmundjet e zemrës dhe presionin e lartë të gjakut dhe lidhet me goditjet në tru dhe forma të ndryshme të kancerit. Pesha e tepërt trupore lidhet gjithashtu me një rrezik më të madh të vdekjes nga Covid-19.

The Economist thekson se pasojat e mundshme afatgjata të këtyre barnave nuk dihen ende. Në dozat më të ulëta të përshkruara për diabetin, efektet anësore, të tilla si të vjella dhe diarre, ishin të lehta. Por të tjera mund të regjistrohen, pasi barnat përdoren më gjerësisht dhe në doza më të larta. Do të nevojiten shumë studime përpara se të jepet miratimi, pasi shumë pacientë mund të marrin doza së glp-1 gjatë gjithë jetës. 

Një shqetësim tjetër është kostoja. Në Amerikë, kostoja mujore për Wegovy është rreth 1,300 dollarë, për Ozempic rreth 900 dollarë. Megjithatë, ka optimizëm s kompanitë ka të ngjarë të arrijnë marrëveshje me qeveritë dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor, duke ulur kostot. Perspektiva e fitimeve tërheq konkurrencën. Amgen, AstraZeneca dhe Pfizer po zhvillojnë ilaçe konkurruese. 

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit