Ilaçi i Covid-19/ SHBA drejt aprovimit për përdorimin e Remdesivirit

Ilaçi i Covid-19/ SHBA drejt aprovimit për…

Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara tha të enjten se pret miratimin e shpejtë nga ana e qeverisë për përdorimin urgjent të Remdesivirit për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

Gjatë një interviste për rrjetin televiziv “NBC”, doktor Anthony Fauci tha se ka biseduar me shefin e Administratës së Ushqimit e Barnave, i cili siç tha ai, i ka bërë të ditur se agjensia po “ecën me shumë shpejtësi” drejt aprovimit të këtij ilaçi për përdorim.

Zoti Fauci është shprehur optimist lidhur me Remdesivirin i cili rezultoi i efektshëm kundër koronavirusit në një studim të kryer nga agjencitë qeveritare. Por ai theksoi jo për herë të parë se ilaçi nuk “nuk duhet parë si përgjigjja përfundimtare” për të ndaluar pandeminë, por “një hap i parë i rëndësishëm” në gjetjen e trajtime efektive, të cilat mund të kenë një efekt të fortë në kontrollin e shpërthimit.

Deri tani në SHBA numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në mbi 1 milion e 56 mijë persona ndërsa janë regjistruar mbi 61 mijë të vdekur.

Të enjten doktor Anthony Fauci, paralajmëroi gjithashtu ndaj rrezikut të rihapjes së vendit shumë shpejt i shqetësuar nga një valë e re e pandemisë.

Ndërsa disa guvernatorë shtetet po shkojnë drejt rihapjes së aktiviteteve ekonomike, zoti Fauci u bëri thirrje që të “veprojnë shumë ngadalë” nëse nuk kanë aftësi të bëjnë gjurmimin e kontakteve të pacientëve të prekur me koronavirus.

“Nuk mund të nxitoheni dhe të krijoni një situatë vërtet joshëse për një rikthim tç virusit,” tha Fauci në emisionin “Sot” të kanalit NBC. “Kjo është gjëja për të cilën unë shqetësohem. Shpresoj të mos e bëjnë këtë”.

Disa guvernatorë shtetesh kanë thënë ditët e fundit se restorantet, dyqanet e shitjes me pakicë, sallonet e flokëve dhe thonjve, lojrat bowling dhe institucione të tjera mund të fillojnë të rihapen nëse dëshirojnë. Ndërsa afrohet maji të premten, Presidenti Donald Trump tha se po i jep fund kërkesës federale që amerikanët të mbajnë të paktën një distancë fizike prej dy metrash nga njerëzit e tjerë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit