Importi 'shkatërron' fermerët në juglindje

Importi ‘shkatërron’ fermerët në juglindje

Fermerët e juglindjes së vendit nuk po shesin dot prodhimet që mblodhën nga tokat e tyre, dhe gjithë puna e bërë gjatë vitit të shkuar po u ikën dëm!

Në Maliq patatet dhe qepët kanë mbetur në magazina, për shkak se tregu vendas është i tejmbushur me prodhim importi nga jashtë vendit. Fermerët tregojnë se kjo situatë është mjaft shqetësuese, pasi sezoni i mbjelljeve të reja po afron dhe malli që i ka mbetur stok i bllokon punën.

“Tregtarët na thonë se ka hyrë shumë mall nga jashtë edhe kjo bëri që të mos ecin shitjet për ne. Unë si fermer kam dy mijë kuintal patate pa shitur. Ne duhet ta shesim se bllokohemi, po afrohet sezoni tjetër i mbjelljes por në këto kushte ne nuk bëjmë dot asgjë.”, tha fermeri Gëzim Kreka nga fshati Orman.

E njëjtë është situata edhe për kulturën e qepës, ku fermerët kanë bërë thirrje që të kufizohet futja e produktit nga jashtë!

“Kemi filluar që në tetor se kjo është qepë e vonë por na konkurrojnë shumë ato që vijnë nga jashtë dhe nuk e kemi shitur. Ka shpenzime shumë të mëdha, nuk përballohet që të mbjellim më shumë. Punëtorët kërkojnë të paguhen më shumë. Doganën nuk e mbyllin dot por të marrin disa masa, të shesim edhe ne.”, deklaroi fermeri Gurali Dautllari nga Sovjani.

“Tetë dynym kisha mbjellë unë, tani aty i kam nuk ka ardhur ndonjë tregtar që të marrë me shumicë. Të gjitha çmimet janë rritur. Ka hyrë malli nga jashtë.”, shtoi fermeri Feim Vila.

Fusha e Maliqit është e njohur për prodhimin e madh të qepëve dhe patateve, ku më shumë se 1 400 hektarë mbillen çdo vit. Fermerët deri pa pak kohësh i kanë shitur produktet e tyre me 50 lekë/kg, por edhe pse çmimi është i ulët malli u ka mbetur stok.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit