Inaugurimet pa fund, punimet pa afat: ironia e Bypass-it të Vlorës në praktikën e qeverisë Rama

Inaugurimet pa fund, punimet pa afat: ironia…

Bypass-i i Vlorës, ndonëse i inauguruar dy herë, ende nuk ka përfunduar, duke u kthyer në një simbol të premtimeve të pambajtura dhe kostove të fryra për qytetarët shqiptarë.

Dy vite pas ceremonive me shumë bujë, Bypass-i i Vlorës mbetet ende një kantier i hapur. Aksi prej 29 kilometrash, që u prezantua si një nga investimet më madhore infrastrukturore në jug të vendit, sot reflekton qartë hendekun mes retorikës së qeverisë Rama dhe realitetit në terren.

Përkundër premtimeve për përfundim të plotë dhe funksionalitet të garantuar, rruga vijon të ketë mungesa në elementët e sigurisë, ndërkohë që punimet vazhdojnë në disa segmente. Sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar, rehabilitimi i skarpatave dhe mbrojtja nga rrëshqitja e gurëve është ende “drejt përfundimit”.

Në një prej komenteve të qytetarëve në rrjetet sociale, ironia nuk mungon: “Ka ngel edhe pak fare aty ku lidhet Kanina me bypass-in… Aty ku protestonin banorët”. Ky reagim pasqyron zhgënjimin qytetar, jo vetëm për punimet e zvarritura, por edhe për indiferencën ndaj shqetësimeve reale të komunitetit.

Ndërsa vetë kryeministri Edi Rama shpërndante video promovuese me mbishkrime si “bukur dhe pastër”, dhe ministrja Belinda Balluku e shpalli projektin të përfunduar, ARRSH deklaroi publikisht se afati real i përfundimit është fundi i korrikut 2025. Ky është një tjetër afat i shtyrë, duke përgënjeshtruar pretendimet e mëparshme që flisnin për marsin e vitit 2024.

Arsyet zyrtare për zvarritjen përfshijnë terrenin e vështirë, rrëshqitjet në skarpatat, ndërhyrjet nga komunat Babicë e Kaninë, si dhe zhvendosjen e rrjeteve inxhinierike. Por asnjë prej këtyre faktorëve nuk e justifikon fshehjen e vonesave dhe sidomos mungesën e transparencës për rritjen e kostos.

Nga një vlerësim fillestar prej 56 milionë eurosh, tashmë kostoja ka kapur shifrën 69.2 milionë euro – një rritje prej 13 milionë euro. Megjithatë, Autoriteti Rrugor nuk ofron një analizë të detajuar mbi këtë diferencë. Kështu, çdo kilometër i kësaj rruge ka kushtuar 2.4 milionë euro, një çmim që ngre pikëpyetje të mëdha për efikasitetin dhe kontrollin e shpenzimeve publike.

Projekti është bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare, ku 20 milionë euro janë dhënë në formë granti. Shto këtu dhe 13 milionët nga qeveria shqiptare, që duket se janë investuar më shumë për të mbuluar vonesat sesa për të përshpejtuar përfundimin.

Ky skenar përfaqëson një shembull tipik të asaj që qytetarët e përjetojnë gjithnjë e më shpesh: projekte të mëdha që përdoren për marketing politik dhe që në praktikë kthehen në pengesa për lëvizjen dhe zhvillimin lokal.

Deklarata e ministres Balluku, e bërë në prag të zgjedhjeve, për një vepër “të përfunduar” klasifikohet si gjysmë e vërtetë. Sepse rruga, ndonëse e hapur për qarkullim, nuk ka përfunduar teknikisht, siç pranohet edhe nga vetë ARRSH.

Hipokrizia e qeverisë Rama në këtë rast është e dukshme: nga njëra anë, predikohen zhvillimi dhe përparimi, ndërsa në anën tjetër realiteti në terren është ai i zvarritjeve, devijimeve dhe një fature që rritet për qytetarët pa llogaridhënie.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit