
Banorët e zonës përreth fabrikës së përpunimit të zorrëve “INCA” në lagjen “Skëndërbeg”, Lezhë, në pronësi të Alban Zusit, ish zëvendësministër i Bujqësisë në mandatin e parë të qeverisë Rama, shprehin shqetësimin rreth ndotjes që shkakton aktiviteti i kësaj fabrike.
Sipas tyre, era e rëndë dhe ndotja që vjen nga procesi i punës, po ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e jetesës dhe shëndetin e komunitetit përreth. Banorët shprehen se fabrika nuk respekton standardet e higjienës dhe të mbrojtjes së mjedisit duke operuar në mënyrë të pakontrolluar dhe pa transparencë.
Lidhur ankesat ndaj fabrikës janë bërë një sërë protestash nga ana e banorëve, por autoritet përkatëse nuk kanë marrë asnjë masë për verifikimin dhe ndalimin e aktivitetit të INCA. Banorët janë të shqetësuar për mungesën e masave mbrojtëse dhe për mungesën e inspektimeve nga ana e institucioneve përkatëse.
Pas peticionit të banorëve kundër fabrikës dhe protestave qoftë para fabrikës, qoftë para kryeministrisë apo Ministrisë së Bujqësisë, në fillim të nëntorit, dy kontrolle të AKM-së e gjetën fabrikën në shkelje sa i takon derdhjes së ujërave në kanalin ujëmbledhës. Kompania “INCA”, themeluar dhe drejtuar nga Alban Zusi, ka si aktivitet kryesor përpunimin e mbetjeve shtazore.
Ajo u mbështet nga qeveria shqiptare dhe BE-ja me financim nga programi “IPARD II”. “INCA” përfitoi rreth 135 milionë lekë investim për pajisje dhe makineri të fabrikës, e cila u përurua më 16 shkurt 2020 me prezencën e Bledi Çuçit, asokohe Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Banorët nuk janë kundër punësimit apo zhvillimit industrial, por kërkojnë që ky zhvillim të bëhet me përgjegjësi dhe respekt të shëndetit të qytetarëve dhe të ambientit.
Banori shkruan:
Pershendetje JOQ! Jemi te shqetesuar per eren e pazakonte qe vjen ne oret e vona te darkes te fabrika e zorreve ne lagjen skenderbeg Lezhe. Ju lutem postojeni!