India dhe Pakistani në prag të luftës, dy fuqitë bërthamore rrezikojnë përplasje katastrofike

India dhe Pakistani në prag të luftës,…

Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke rritur frikën për një përplasje të re ushtarake mes dy fuqive bërthamore. Pakistani ka deklaruar se zotëron “informacion të besueshëm” se India do të kryejë një sulm brenda 24 deri në 36 orët e ardhshme, si përgjigje ndaj masakrës së javës së kaluar në Pahalgam, ku mbetën të vrarë 26 persona, shumica turistë indianë.

Grupi që mori përgjegjësinë për sulmin, “Kashmir Resistance”, ishte i panjohur më parë. Sipas dëshmive, autorët veçuan burra hindu dhe i qëlluan në kokë nga afër. Një prej viktimave ishte një burrë që refuzoi të shqiptonte deklaratën islame të besimit.

India ka fajësuar Pakistanin për mbështetje ndaj militantëve, ndërsa Islamabadi e ka mohuar çdo përfshirje. Në përgjigje, India ka pezulluar një traktat të rëndësishëm për ndarjen e ujërave, ka mbyllur kufirin me Pakistanin dhe ka ndaluar fluturimet e avionëve pakistanezë në hapësirën e saj ajrore. Edhe Pakistani është kundërpërgjigjur duke mbyllur hapësirën ajrore për fluturimet indiane.

Ndërkohë, janë regjistruar shkëmbime të shumta zjarri në vijën ndarëse të kontrollit në Kashmir, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Qeveria indiane i ka dhënë ushtrisë “liri të plotë” për të vendosur për kohën dhe mënyrën e reagimit, duke rritur frikën se një përplasje ushtarake mund të jetë e pashmangshme. OKB dhe SHBA kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe shmangie të një konflikti që mund të ketë pasoja tragjike për rajonin.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit