Infektimi pas vaksinimit/ Epidemiologu zbulon arsyet pse mund të jetë infektuar mjeku Pipero

Infektimi pas vaksinimit/ Epidemiologu zbulon arsyet pse…

Epidemiologu Fabian Cenko, thotë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar pas infektimit të mjekut Pëllumb Pipero, i cili kishte marrë dozën e parë të vaksinës Pfizer. Sipas mjekut epidemiolog, duhen disa ditë nga marrja e dozës së parë të vaksinës, që trupi të mund të nisë të prodhojë mbrojtje, ndërsa nuk përjashton mundësinë që Pipero të jetë në mesin e 5% të personave që nuk kanë mbrojtje nga vaksina.

“Nuk kam asnjë arsye që të dyshoj te vaksina, pasi kompanitë e kanë thënë që për 10-12 ditë sistemi imunitar nuk ka krijuar ende antitrupa. Me dozën e dytë në ditën e 21 nga doza e parë mbrojtja është më e madhe, në rast se do të ekspozohej ndaj një personi të infektuar. Por edhe në rast se doktor Pipero do të ishte pozitiv pas dozës së dytë të vakinës, atëherë ai do të bënte pjesë në grupin e 5% të personave që edhe pas vaksinimit mund të infektohen.

Është një rezultat që ka ndodhur në mijëra individë, edhe në vendet ku vaksina ka filluar që të përdoret në masë. Është shumë e rëndësishme që të shohim nëse vaksina do të ndikojë në kohëzgjatjen e sëmundjes dhe në simptomat që mund të ketë. Kjo do ishte shumë e rëndësishme për tu parë, mos të harrojmë që doktor Pipero është shumë i ekspozuar duke marrë parasysh institucionin ku ai punon.

Në shumë vende të Europës dhe në botë kanë lindur përpjekje sa i takon kohës kur merren doza e parë dhe e dytë e vaksinës. Nëse unë rezultoj pozitiv në periudhën midis 21 ditëve, atëherë doza e dytë e vaksinës mund të shtyhet për një moment të dytë, pasi trupi vetë i ka prodhuar antitrupat”, u shpreh Cenko.

Sa i takon rritje së shifrave të të prekurve me Covid në vendin tonë, dhe nëse kjo lidhet me shfaqjen e variantit britanik, Cenko tha se në mungesë të të dhënave laboratorike, duhen analizuar disa faktorë.

“Nuk do ti jepja shumë kredite virusit britanik për shtimin e rasteve të Covid në Shqipëri. Nëse brenda një familje do të kemi më shumë anëtarë të saj të infektuar, në krahasim se më parë, atëherë mund të jemi të ekspozuar përkundrejt virusit britanik. Duhet parë si janë shpërndarë numrat e infektimeve brenda familjes, apo nëse shihni se virusi shpërndahet më shumë mes të rinjve. Këto janë teknikat që ne mund të ndjekim, në rastet kur na mungojnë të dhënat laboratorike, sa i takon varianteve të reja të virusit”, tha më tej Cenko në Fax news.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit